Procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit ka nisur me problematika në disa zona të vendit, duke penguar qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Në shkollën “Dëshmorët e Lirisë” në Tiranë, qytetarët nuk kanë mundur të votojnë për shkak të defektit në pajisjen e identifikimit biometrik. Anëtarët e komisionit zgjedhor kanë deklaruar se, nëse pajisja nuk funksionalizohet brenda 3 orëve, atëherë do të kalojnë në identifikim manual, siç parashikohet nga Kodi Zgjedhor.
Në QV nr. 0731, e vendosur në Pallatin e Kulturës në Lezhë, procesi nuk ka nisur pasi pajisja për skanimin e dokumenteve të identitetit nuk funksionon. Në këtë qark janë thirrur për të votuar 164,976 zgjedhës, përfshirë 14,700 nga diaspora, në gjithsej 254 qendra votimi.
Në disa qendra në qarkun e Vlorës është raportuar mungesë e komisionerëve, duke penguar hapjen në kohë të votimeve. Në një rast të pazakontë, në një QV nuk është hapur pasi kryetarit të komisionit i ka ndërruar jetë e ëma.
Në shkollën “Shyqyri Lakra” në Berat, QV përkatëse nuk ka energji elektrike, duke pamundësuar nisjen e procesit. Qytetarët janë paraqitur në qendër, por nuk kanë mundur të votojnë deri në rikthimin e energjisë.
Autoritetet zgjedhore dhe teknike janë njoftuar për këto problematika dhe pritet ndërhyrja për zgjidhjen sa më të shpejtë të tyre, në mënyrë që procesi të vazhdojë normalisht në të gjithë vendin./E.T