“Do shkoni në prokurori, po manipuloni procesin”, Agron Shehaj debaton me numëruesit

Vijon situata e tensionuar në ambientet e KZAZ nr. 40, në shkollën “Sami Frashëri” në Tiranë, ku përfaqësuesit e Partisë Mundësia kanë denoncuar se një numër votash të vlefshme për subjektin e tyre po shpallen të pavlefshme nga ana e numëruesve.

Kryetari i Partisë Mundësia, i pranishëm në këtë qendër numërimi, deklaroi se fletët e votimit janë të rregullta dhe të vulosura, por po kontestohen me justifikimin se kanë ngjyrë të ndryshme nga formati standard, një argument që ai e cilëson si të pabazë dhe të qëllimshëm.

Sipas Agron Shehajt, po vidhen votat e Partisë Mundësia përmes këtij preteksti, pasi kjo parti është pranë sigurimit të mandatit të dytë, të cilin sipas tij po përpiqen t’ia heqin në mënyrë të padrejtë.

“Shpjegimi është i qartë: Partia Mundësia është pranë marrjes së mandatit të dytë. Na është dhënë, por tani po na e heqin. Bëhet fjalë për disa dhjetëra vota, dhe po kapen pas çdo detaji – herë thonë se ngjyra nuk është perfekte, herë që fleta nuk është identike. Por vetëm votat e Partisë Mundësia po gjykohen si të pavlefshme. Të gjithë të tjerët përfitojnë nga kjo,” – u shpreh Shehaj.

Sipas tij, edhe fletët e votimit në favor të partive të tjera kanë ngjyra të ndryshme, por ato nuk kontestohen.“Tani kemi nisur të hapim fletët dhe po shohim që të gjitha kanë ngjyra të ndryshme. Nuk e kuptoj pse po gjykojnë për ngjyrën vetëm votat tona dhe jo të partive të tjera, që po ashtu kanë fletë me ngjyrë ndryshe. Asnjë fletë këtu nuk ka ngjyrë identike. Ky është një pretekst për të na hequr votat. Manipulimi i procesit zgjedhor është vepër penale,” – tha Shehaj, duke iu drejtuar zyrtarëve të KZAZ-së nr. 40 me kërkesën për të krahasuar të gjitha fletët e votimit.

Lexo edhe :  FOTO: Mos vallë Salianji ka nisur "puçin" kundër Berishës?

“Manipulimi është vepër penale. Krahasoni të gjitha fletët e votimit – do të shkoni në prokurori për këtë,” – përfundoi ai. m.p.