Pano Soko, një nga kandidatët për deputet në Koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet, i ka cilësuar zgjedhjet e 11 majit si më të pistat që janë zhvilluar në këto vite demokraci në vendin tonë.
I ftuar në Ditarin me Loneta Prognin, Soko u shpreh se administrata ushtroi dhunë ndaj qytetarëve, teksa shtoi se në këto zgjedhje u ndje dhe dora e krimit, e cili solli në parlament disa të panjohur që morën vota dhe më shumë se senatorët e këtyre partive.
“Zgjedhjet e 11 majit ishin më të pistat të zhvilluara ndonjëherë. Presioni mbi administratën ishte i jashtëzakonshëm. Presioni mbi qytetarët ishte i jashtëzakonshëm nga administrata. Ky mekanizmi i patronazhimit, intimidon qytetarët dhe ndryshon votën. Ky mekanizëm ka funksionuar si ushtarak. Të gjitha institucionet u vunë në rresht në shërbim të partisë në pushtet. Në këto zgjedhje krimi la shenjë të madhe.
Më të votuarit nuk ishin senatorët, por janë ca njerëz që askush nuk e dinë se kush janë. Ata kanë më shumë vota sesa followers në rrjetet sociale. Kjo është dëshmi që krimi ka futur duart në këtë proces. U riaktivizua metoda e blerjes së votës. Prisnim të ishte reduktuar pasi dhe SPAK kishte një mekanizëm të ndërtuar. m.p.