Pas sigurimit të titullit të 25-të në Superligën turke, klubi i njohur Galatasaray kishte planifikuar një festë madhështore për të kremtuar këtë arritje historike. Sipas mediave turke, drejtuesit e klubit kishin në plan të ftonin superyllin e muzikës pop, Dua Lipa, për të performuar gjatë ceremonisë së festimeve.
Megjithatë, tentativa për bashkëpunim nuk rezultoi e suksesshme. Sipas asaj që raporton “Daily Mail”, këngëtarja me famë botërore dhe me origjinë shqiptare thuhet se kërkoi një tarifë prej 3.5 milionë dollarësh për një performancë live, një shifër që u konsiderua jashtë mundësive të klubit dhe u refuzua nga drejtuesit e Galatasaray.
Pavarësisht kësaj, ceremonia e festimeve do të mbahet dhe pritet të jetë një spektakël i madh për tifozët e shumtë të skuadrës nga Stambolli. Titulli i 25-të kampion i jep Galatasaray të drejtën të shtojë një yll të pestë mbi stemën e klubit, një traditë në futbollin turk, ku çdo yll përfaqëson pesë kampionate të fituara. m.p.