5G në Shqipëri, shpejtësi dhe frikë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

5G ka hyrë në Shqipëri. U vonua ca, por tani po shtrohet këmbëkryq. Një gjë të tillë e kam thënë dhe më parë. E kam thënë me shkrim. Por 5G nuk shkroi gjë: ajo foli me veprim. Hyri pa trokitur, pa prezantim, pa fjalime në log e kuvende. Vetë.

Zoti na ruajt.

Dhe çfarë po ndodh?

Dikur shihje një video që hapej në YouTube dhe, kur më në fund ngarkohej, harroje ç’e kishe hapur. Sot, teknologjia po të hyn në shtëpi me shpejtësinë e dritës, e heshtur si pluhur që futet nga dritarja e lënë hapur. Dhe nuk pyet. Nuk kërkon leje. Thjesht ndodh.

Ku paskemi qenë, ore…

Rroftë 5G.

Kështu brohorasin disa. Ata që kanë më shumë interes. Ose… ata që s’ia kanë haberin asgjëje në këtë botë.

Po ne të tjerët? Të dorëzohemi?

Mblidh, morë, mendjen. Duhet të luftojmë.

Mirë e ke, të luftojmë me Mullinjtë e Erës. Edhe Sanço si shqyrtar merrte kuptim, sidomos kur ecte me gomar përkrah të zotit që rëndonte mbi Rosinantin gërdallë.

Gjenerata e pestë e rrjetit celular nuk është më thashethem teknikësh në panaire teknologjie. Është këtu. Mes nesh. Në xhepa, në çanta, në çarçafët tanë. Dhe po zë vend ngadalë, por me vendosmëri, si çdo pushtues modern që s’ka nevojë për tanke me zinxhirë dhe avionë supersonikë – ka valë.

Dikur na paralajmëruan se kjo teknologji do të na shfaroste. Do të na digjte trurin, do të na kthente në robotë, do të na bënte skllevër të antenave. Disa madje i morën seriozisht ato zëra. I dhanë zjarr antenave. U bënë “heronj” të shëndetit publik, me bidon benzine dhe një çakmak në emër të njerëzimit.

Sot? Sot, po ata zëra janë bërë nën-nivel. S’kanë më asgjë për të thënë. Heshtja e tyre bën më shumë zhurmë se vetë antenat.

Ore, ku jeni? Ua mbyllën gojën apo e mbyllët vetë?

Flisni tani… ose heshtni përgjithmonë. Se nesër do të jetë vonë.

Tani vetja na duket si në dhomat e izolimit të skëterrës naziste, ku duhet të lëshohet vetëm gazi. Edhe konspiracionistët kështu pretendonit: do të lëshohen valët dhe… Si atëherë në Luftën e Parë Botërore, kur për herë të parë u transmetua me valë radioje. Dhe pastaj shpërtheu “Gripi Spanjoll”. A thua kishin lidhje vërtet?

Si t’ia bëjmë?

Se populli është turmë: shkon nga i thonë. Dhe tani që nuk po i thotë më kush gjë, turmat thjesht po e përqafojnë. Po jo nga dashuria, por se s’ka ku shkon tjetër.

5G po merr përparësi.

Nga telekomunikacioni te transporti, nga shëndetësia te arsimi, 5G po instalohet si një sistem nervor i ri për shoqërinë. Dhe a ka gjë më të frikshme sesa një tru i huaj që fillon të komandojë trupin tënd?

Lexo edhe :  Sikur Saliu të ishte pak si..Trump-i

Kjo mund të jetë pjesa problematike e gjësë.

Përfitimet? Plot. Po për kë?

Ata që përfitojnë prej saj – kompanitë e mëdha, qeveritë e vogla dhe njerëzit me abonim të shtrenjtë – thonë se 5G është shpëtimi. Shpejtësi marramendëse. Reagim i menjëhershëm. Video që nuk ngrijnë më në sekondën më të sikletshme. Makina që parkohen vetë, spitale që kryejnë operacione të sikletshme nga distanca, qytete që e kronometrojnë vetë fikjen e dritave dhe… thithjen e ajrit të ndotur.

Varet si ta shohësh problemin. Nga çfarë këndi.

Në një Shqipëri ku rruga prishet sa herë bie shi dhe sinjali ikën sapo del nga Tirana, 5G tingëllon si mrekulli. Si një bypass digjital që të shmang rrëmujën dhe të çon drejt modernitetit, pa i kaluar pengesat.

Por, për fat të keq, jo pa pasoja. Dhe as pa ironi.

Disa vite më parë, 5G u prit me panik botëror. Antena të djegura, protesta, video dramatike në YouTube ku njerëzit betoheshin se do të mbronin trurin e fëmijëve me helmeta prej alumini. Shqipëria s’mund të mbetej pas: lajme herë të vërteta, herë të rreme, artikuj alarmantë, lidhje absurde dhe joabsurde me Covid-19, por dhe bilionerin Bill Gejts si individ. Shkurt: me çdo gjë që lëvizte.

Por teknologjia nuk u ndal. Eci. Hyri. U shtrua. Sot, antenat janë shtuar. Nesër do të jenë më shumë se pemët. Dhe ndryshe nga pemët, nuk i ujit askush: ato ushqehen vetë – me ne.

Tani jemi në pikën ku 5G nuk pyet më. Nuk pret më flamuj të bardhë, nuk kërkon negociata, dhe as aprovim. Thjesht zgjerohet. U fut në qytet, kaloi në qarqe, dhe tani po përhapet në fshatrat që ende mezi presin sinjalin. Rrugët mungojnë, por sinjali që të çon në një botë ëndrrash është aty.

Ndërkohë, kompanitë celulare po i bëjnë jehonë 5G-së me një entuziazëm që të bën të mendosh se kanë shpikur oksigjenin. Nuk i pengon më kush.

Zërat që dikur çirreshin për rrezikun, sot nuk dihet ku janë fshehur. Ç’të ketë ndodhur, vallë? I përpiu vala – ajo e pestë.

Dhe pyetja është: a do ta hajë njeriu teknologjinë, apo do ta hajë ajo njeriun?

Sepse nëse janë të vërteta ato që kanë thënë teoricienët e rrëzimit të botës, atëherë gjithçka do të përfundojë sipas planit: gjysma e njerëzimit do të zhduket dhe gjysma tjetër do të jetojë në utopi digjitale, me ushqim pa prekur tokën dhe punë pa lëvizur nga krevati.

Por, nëse janë thjesht dokrra, atëherë ne do të vazhdojmë kështu: me ritme të tilla të përshpejtuara, do të vijë dita kur njerëzit do të hanë njëri-tjetrin.

Sepse gjithçka tjetër do të jetë ngrënë – me shpejtësi 5G-je.

Të fundit

Kontroll në Burgun e Durrësit, gjenden 10 celularë që përdoreshin nga të izoluarit

Një kontroll i befasishëm është ushtruar orët e fundit në Burgun e Durrësit, në qelitë të të izoluarve. Paraprakisht informohet...

Palët nuk ndryshojnë qendrim/ Dështon dhe përpjekja e 23-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të enjten – për herë të 23-të radhazi – ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë...

Kryemadhi për humbjen e Metës: Nuk shoh përgjegjësi, s’kam qenë lidere e fushatës së tij

Deputetja e PL-së, Monika Kryemadhi tha për gazetarët para se të hynte në Kuvend se “karrigia e parlamentit nuk është as e Monikës dhe...

Kot lodheni

Nga Artur Ajazi Humbja e Partisë Demokratike në 11 Maj, ka nxjerrë sërish në diskutim “largimin“ e Sali Berishës. Mblidhen analistë, politikanë, fitues dhe humbës,...

Parlamenti mbylli punimet pas 15 minutash, Berisha: Bodrum i mafias!

Kreu i PD, Sali Berisha foli për mediat pas mbylljes s seancës së sotme parlamentare pas rreth 15 minutash. Ai e cilësoi parlamentin si një...

Lajme të tjera

Web TV