Mitsotakis forcon masat kundër hyrjeve të paligjshme

Greqia ka përgatitur një projektligj që do të përfshijë dënime më të ashpra për azilkërkuesit të cilëve u është refuzuar kërkesa dhe do të përshpejtojë kthimin në shtetet e tyre të origjinës, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, më 28 maj.

Greqia ishte në epiqendër të krizës me emigrantë më 2015-2016, kur më shumë se 1 milion persona u larguan nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme dhe Afrikë dhe shkuan në Evropë.

Rritja e numrit të azilkërkuesve nxiti thirrjet që shtetet në kufirin jugor të Evropës, sikurse Greqia dhe Italia, të forcojnë kufijtë e tyre.

Që atëherë, numri i azilkërkuesve ka rënë, por migracioni mbetet një çështje e ndjeshme politike në Greqi dhe Mitsotakis është zotuar se do të ashpërsojë qëndrimin e tij.

“Dënimet do të jenë më të rënda për ata që hyjnë në shtet në mënyrë të paligjshme ose qëndrojnë në vendin tonë nëse kërkesa e tyre për azil është refuzuar”, tha Mitsotakis gjatë mbledhjes së ekzekutivit të mërkurën, ku u diskutua për projektligjin e ri për migracionin e paligjshëm.

Mitsotakis tha se projektligji do të synojë gjithashtu përshpejtimin e kthimeve përmes një “mekanizmi më efektiv dhe të drejtë”. Rregulloret do të duhet të miratohen nga Parlamenti përpara se të hyjnë në fuqi./kb