Bie Monarkia, italianët zgjedhin Republikën

2 Qershor 1946  

Më 2 dhe 3 qershor 1946, Italia u përball me një nga momentet më vendimtare të historisë së saj moderne: një referendum që do të përcaktonte nëse vendi do të vijonte nën regjimin monarkik apo do të përqafonte një rend të ri republikan. Pas dekadash mbretërimi dhe pas një regjimi fashist që kishte tronditur rrënjët e shtetit, italianët zgjodhën të ndërtonin një demokraci të re – Republikën Italiane.

Një vendim historik me pjesëmarrje rekord

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe rënies së regjimit të Benito Musolinit, vendi ndodhej në një moment reflektimi të thellë. Referendumi i 2 dhe 3 qershorit ishte i pari votim i lirë pas 22 vjetësh dhe shënoi gjithashtu një hap të madh drejt barazisë gjinore: për herë të parë në Itali, edhe gratë kishin të drejtë vote. Pjesëmarrja ishte mbresëlënëse – mbi 89% e votuesve u paraqitën në qendrat e votimit.

Rezultatet e votës ishin të qarta: 54.3% e italianëve votuan për republikën, ndërsa 45.7% mbështetën monarkinë. Kështu, Italia mbylli një kapitull të gjatë historik dhe i dha fund dinastisë së Shtëpisë së Savojës, që kishte sunduar vendin që prej bashkimit kombëtar në vitin 1861.

Përpjekja e fundit e një mbreti të humbur

Mbretit Umberto II, që kishte hipur në fron vetëm tri javë më parë pas abdikimit të babait të tij Vittorio Emanuele III, nuk i munguan përpjekjet për të ruajtur kurorën. Në natën midis 1 dhe 2 qershorit, ai publikoi një mesazh në përpjekje të fundit për të fituar mbështetjen e popullit. Por fati ishte vulosur. Populli italian nuk kishte harruar lidhjen e monarkisë me regjimin fashist – legjitimimin e Musolinit, ligjet racore, shtypjen e opozitës dhe një luftë të dështuar që kishte lënë pas vetes rrënoja.

Pas shpalljes së rezultatit, mbreti nuk e pranoi kurrë legjitimitetin e Republikës dhe u largua nga Italia më 13 qershor, për t’u bashkuar me familjen që ishte strehuar më parë në Portugali. Refuzimi i tij për të njohur rezultatin çoi në përfshirjen e një dispozite të posaçme në Kushtetutën e vitit 1948, e cila i ndaloi anëtarët e familjes Savoj të ktheheshin në Itali për dekada.

Lexo edhe :  Plaku i Hileve

Nga monarki kushtetuese në republikë parlamentare

Më 18 qershor 1946, Gjykata e Kasacionit shpalli zyrtarisht rezultatin e referendumit, duke vulosur fundin e Mbretërisë së Italisë. Më 1 korrik, Enrico De Nicola u emërua Presidenti i parë i Republikës Italiane, ndërsa Alcide De Gasperi mori drejtimin e qeverisë si Kryeministër. Kushtetuta e re, që hyri në fuqi më 1 janar 1948, përshkroi themelin e rendit të ri republikan, duke garantuar liritë dhe të drejtat themelore për të gjithë qytetarët.

Referendum, jo plebishit

Edhe pse nga ana juridike votimi i 1946-ës nuk rregullohej nga ligje kushtetuese dhe i ngjante më shumë një plebishiti, termi “referendum” u përzgjodh me kujdes. Kjo për të shmangur çdo lidhje me praktikat autoritare të së kaluarës, ku plebishitet ishin shpesh mjete për të justifikuar pushtetin absolut – si në rastin e Napoleonit apo Musolinit. Referendumi për republikën ishte shprehje e vërtetë e vullnetit popullor, një akt sovraniteti demokratik që e vendosi fatin e vendit në duart e qytetarëve të tij.

Një datë simbolike për demokracinë italiane

Që nga ajo kohë, 2 Qershori festohet çdo vit si Dita e Republikës Italiane, simbol i rilindjes demokratike dhe i një epoke të re të historisë kombëtare. Në këtë ditë, italianët kujtojnë jo vetëm fundin e një monarkie të vjetër dhe të komprometuar, por mbi të gjitha fillimin e një rruge të re, të ndërtuar mbi votën e lirë, pjesëmarrjen qytetare dhe sundimin e ligjit.

Përgatiti për botim: L.Veizi