Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga vrasja e Pjetër Kazës pak ditë më parë në Lezhë. Mësohet se në vrasjen e 57-vjeçarit autorët kanë përdorur një armë me silenciator, pasi nuk janë dëgjuar krisma në momentin e ekzekutimit.
Pjetër Kaza u ekzekutua në derën e banesës ndërsa ngjarja ndodhi pas një sage hakmarrjesh mes fisit Kaza dhe Gjini. Pjetër Kaza u ekzekutua me 12 plumba.
Bashkëshortja e viktimës ishte e para që i është përgjigjur hetuesve. Ajo u shpreh se e gjeti bashkëshortin e saj të vrarë teksa automjeti me të cilin do udhëtonte ishte ende i ndezur. Sakaq, bashkëshortja e tij ka deklaruar se Pjetri ka humbur dy vëllezër për shkak të hakmarrjes.
Vrasja e Pjetër Kazës riktheu edhe njëherë hijet e frikshme të një gjakmarrje mes fiseve Kaza dhe Gjini mbi 30-vjeçare, që deri më sot ka prodhuar 5 viktima. Përplasja e fisit Kaza me atë Gjini e ka gjenezën në vitin e largët 1994. m.p.