Xhorxh Marshall, fjalimi që çoi në Planin i cili ndërtoi Evropën e pasluftës
Përgatiti: Leonard Veizi
Shqipëria nuk e pranoi ndihmën e “Planit Marshall”. Preferoi më mirë të merrte lëmoshë dhe para borxh nga Rusia e varfër se sa të rreshtohej përkrah shteteve të tjera evropiane që shpërthyen në ekspansion ekonomik për shkak të financave që erdhën nga Amerika…
…Më 5 qershor 1947, në një ceremoni solemne në Universitetin e Harvardit, Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhorxh C. Marshall, mbajti një ndër fjalimet më të rëndësishme të shekullit XX, duke hedhur themelet për një plan ndihme që do të ndryshonte përgjithmonë fatin e kontinentit evropian të shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore. I njohur më pas si “Plani Marshall”, ky propozim synonte jo vetëm të rindërtonte infrastrukturën dhe ekonominë e vendeve të rrënuara nga lufta, por edhe të parandalonte rënien e tyre në kaos politik, social dhe ekonomik – një terren i përshtatshëm për përhapjen e komunizmit, në një Evropë ku Bashkimi Sovjetik po zgjeronte ndikimin e tij. “Politika jonë nuk drejtohet kundër asnjë vendi apo doktrine, por kundër urisë, varfërisë, dëshpërimit dhe kaosit,” – deklaroi Marshall, duke i ofruar Evropës një ndihmë të pashembullt financiare dhe morale. Në thelb, ai propozoi që Shtetet e Bashkuara të ofronin një program të gjerë ndihme ekonomike, me përfshirje të të gjitha vendeve që ishin të gatshme të bashkëpunonin në mënyrë të hapur dhe transparente për rimëkëmbjen.
Plani për paqe dhe stabilitet
“Plani Marshall” u zbatua zyrtarisht në vitin 1948 nën emrin “Programi për Rimëkëmbjen Evropiane” dhe për katër vite me radhë – deri në vitin 1952, – Shtetet e Bashkuara dhuruan rreth 12 miliardë dollarë – që në vlerën e sotme përllogariten mbi 100 miliardë USD, – në formën e ndihmës financiare, pajisjeve industriale, ushqimeve dhe mallrave të tjera thelbësore. Nga kjo ndihmë përfituan 16 vende të Evropës Perëndimore – përfshirë Francën, Italinë, Gjermaninë Perëndimore, Holandën, Belgjikën, dhe Mbretërinë e Bashkuar – të cilat jo vetëm që u ndihmuan të rikthejnë prodhimin, tregtinë dhe stabilitetin ekonomik, por edhe të konsolidojnë institucionet demokratike dhe të forcojnë lidhjet me SHBA-në. Ndërkohë, vendet e Evropës Lindore, të ndikuara apo të kontrolluara nga Bashkimi Sovjetik, e refuzuan ndihmën nën presionin e Moskës, duke krijuar ndarjen e qartë ideologjike që do të kristalizohej më vonë në Luftën e Ftohtë.
Trashëgimia
“Plani Marshall” nuk ishte vetëm një akt bujarie financiare. Ai u shndërrua në një strategji gjeopolitike që solli stabilitet, nxitje të bashkëpunimit rajonal dhe hapi rrugën për krijimin e institucioneve të rëndësishme si Organizata për Bashkëpunim Ekonomik Evropian (OEEC), pararendësja e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), dhe më vonë, për strukturat e integrimit evropian që kulmuan me Bashkimin Evropian.
Për Evropën, “Plani Marshall” ishte më shumë sesa para – ishte një dritë shprese në një kontinent të lodhur nga lufta, një gur themeli për paqen dhe begatinë që pasoi. Për SHBA-në, ai shërbeu si një mjet për të përforcuar rendin liberal ndërkombëtar dhe për të ndërtuar ura të reja aleancash, me vlera të përbashkëta. Sot, më shumë se shtatë dekada më vonë, 5 qershori 1947 mbetet një datë historike që dëshmon fuqinë e diplomacisë dhe vizionit për një botë të ndërtuar mbi bashkëpunim, jo rivalitet,
Shqipëria dhe “Plani Marshall”
Pavarësisht se ndihma e Planit Marshall iu ofrua në parim të gjitha vendeve evropiane – përfshirë edhe ato të Evropës Lindore – Shqipëria refuzoi të marrë pjesë, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Bashkimit Sovjetik dhe në përputhje me orientimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili kishte vendosur një linjë të qartë anti-perëndimore që në fillim të pushtetit të tij. Enver Hoxha e paraqiti Planin Marshall si një “veprim imperialist të SHBA-së për të nënshtruar Evropën”, duke e përshkruar si një komplot kundër pavarësisë së vendeve socialiste. Shqipëria, në atë kohë një vend i vogël e i izoluar, u rreshtua plotësisht në bllokun sovjetik dhe nuk mori pjesë në asnjë nga proceset e rindërtimit që ndihmuan Evropën Perëndimore të rikthehej në normalitet. Kjo zgjedhje strategjike – politike më shumë se ekonomike – e futi vendin në një rrugë të izolimit që thellohej gjithnjë e më shumë me kalimin e viteve, veçanërisht pas prishjes me Jugosllavinë (1948), me Bashkimin Sovjetik (1961), dhe më vonë edhe me Kinën (1978).
Pasojat
Refuzimi i “Planit Marshall” dhe mbyllja ndaj Perëndimit sollën: Izolim ekonomik dhe diplomatik nga pjesa më e madhe e botës,si dhe mungesë të investimeve dhe teknologjisë moderne. Por po as i krijua dhe një varësi ideologjike dhe ekonomike fillimisht nga Moska dhe më pas nga Pekini. Një zhvillim shumë i ngadaltë ekonomik, krahasuar me vendet e tjera të Evropës që përfituan nga ndihma perëndimore. Ndërkohë që Evropa Perëndimore lulëzonte në vitet ‘50 dhe ‘60, Shqipëria hynte gjithnjë e më thellë në një regjim totalitar, të izoluar dhe me një ekonomi të planifikuar që nuk arrinte të mbulonte nevojat më bazike të popullsisë. m.p.