Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, Nataliya Kiselova, në një deklaratë të përbashkët për shtyp me Drejtuesen e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, është shprehur se mbështet Shqipërinë lidhur me anëtarësimin e saj në unionin evropian.
Kiselova madje e cilësoi Shqipërinë si kampion për përpjekjet e saj për integrimin në Bashkimin Evropian.
“E nderuar zonja kryetare,
Në vend të parë deshiroj të përgëzoj Shqipërinë për rritjet serioze që janë bërë për procesin e anëtarësitmit në BE. Ju jeni kampion në përpjekjet për integrim të plotë në BE”, tha ajo.
Sakaq, Kiselova shprehet se Bullgaria e sheh integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian si një faktor stabiliteti për Ballkanin Perëndimor.
“Shteti bullgar, jo vetëm kuvendi por edhe qeveria, pavarësisht nga politikat, e mendon integrimin e plotë të Shqipërisë si një faktor stabiliteti për Ballkanin Perëndimor. Kuvendi bullgar do bëjë përpjekje për të ndihmuar në rast nevoje, për punën tuaj intensive gjatë viteve të ardhshme, në mënyrë që të gëzojmë së bashku kur të jemi të gjithë pjesë e BE”, u shpreh Kiselova.
Duke u ndalur tek qeveria e re socialiste, pas zgjedhjeve të 11 majit, Kiselova u shpreh se beson që do të ketë një bashkëpunim të ngushtë midis komisioneve parlamentare, e se gjithashtu do të kenë ndihmën e Bullgarisë.
“Legjislatura juaj do nisi në shtator e besoj do ketë një bashkëpunim të ngushtë të komisioneve. Do ndihmojmë në çdo gjë që nevojitet, e në kuadër të NATO-s, e në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Së bashku do punojmë për paqen dhe sigurinë e Ballkanit”, përfundoi ajo./kb