SPAK zgjat me 3 muaj hetimet për Ilir Metën

Prokuroria e Posaçme zgjat me 3 muaj hetimet për kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Ndërsa avokati i tij,  Kujtim Cakrani në një deklaratë për mediat tha se do e ankimojë këtë vendim, pasi sipas tij është në kundërshtim me ligjin.

Ai pretendoi më tej se SPAK i ka tejkaluar të gjitha afatet, duke shpjeguar edhe argumentet që i ka dhënë organi i akuzës për zgjatjen.

“SPAK ka tejkaluar afatet e mbledhjes së provave. Ai ka mbi 7 muaj në paraburgim, prokuroria ka detyrim ligjor që çdo dy muaj të bënte referimin për hetimet. Ne do i pasqyrojmë edhe më vonë, do e vijojmë betejën deri në Strasburg. Po përgatiten edhe materialet për Gjykatën Kushtetuese. Tani SPAK na thotë se nuk ka mbaruar akoma mbledhjen e provës, kjo është kërkesë e SPAK për zgjatjen e hetimeve. Ajo dihet se kur i zgjat herimet i kanë me 6 muaj, mund ta çojnë edhe 5 apo 4 muaj. Thonë se po presin provat, presin një akt ekspertimi për ish-vjehrrën e tij, se ça lidhje ka Meta me ish-vjehrrën. Ne nuk jemi kundër hetimit, të hetojë gjithë ditën SPAK. Por kjo është kërkesa, tani jemi njohur me këtë vendim. Padyshim që do e kundërshtojmë”, tha ai.

Ish-Presidenti i Republikës dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, nuk janë më vetëm persona nën hetim nga SPAK, por zyrtarisht nën akuzë për disa vepra, si “korrupsionit pasiv”, kryer në bashkëpunim, “pastrimi i parave”, por edhe “fshehja e mosdeklarimi i pasurisë”. /e.t