Kur do ta marrin pensionistët pensionin e 13-të?/ Eksperti i ekonomisë zbulon detajet

Pensioni i 13-të nuk do të jetë më një premtim i largët, por pjesë e strategjisë së re për pensionet 2025-2030. Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj, në një intervistë për “Top News”, zbulon afatet dhe detajet konkrete të kësaj nisme. Ai sqaron se pagesa shtesë për pensionistët pritet të aplikohet nga viti 2027 ose në fund të dekadës. Strategjia përfshin edhe një indeksim të diferencuar, që favorizon pensionet më të ulëta. Po ashtu, Z. Gjokutaj vë theksin te nevoja për “plakje dinjitoze” dhe te sfidat strukturore që e kanë penguar përparimin deri tani. Ndërkohë reforma e vitit 2015, sipas tij, nuk i ka dhënë efektet e pritshme dhe tashmë kërkohet një qasje më e thelluar dhe e qëndrueshme.

-Zoti Gjokutaj, cila është strategjia e re e qeverisë për përmirësimin e pensioneve dhe si konceptohet ajo?

Strategjia e re e qeverisë për përmirësimin e pensioneve është ajo e miratuar para pak ditësh për periudhën 2025-2030. Kjo strategji vjen si vazhdimësi e një strategjie të mëparshme ose një dokumenti politikash të viteve 2020-2024, i cili “pati pak hapësirë” në përmbushjen e objektivave të tij. Dokumenti i ri i politikave ka një qasje edhe më të zhvilluar, pasi e konceptualizon problemin në kontekstin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, problemit të mungesës së fertilitetit, rritjes së jetëgjatësisë, si dhe zhvillimeve demografike që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen më të lartë të numrit të moshuarve në përbërjen e popullsisë. Kjo strategji konceptohet në dy kolona kryesore politikash:

  1. Politika e parë ka të bëjë me pensionet, të cilat shpesh janë thjeshtëzuar në aspektin e “pensionit të 13-të”, por është shumë më e gjerë se kaq. Kjo politikë ka një nivel zbatueshmërie më të lartë.
  2. Politika e dytë ka të bëjë me edukimin dhe ndërgjegjësimin, dhe është një qasje strategjike më afatgjatë. Kjo e fundit kërkon një përkujdesje dhe investim më të madh në aspektin e ndërveprimit.

Një synim kryesor i kësaj strategjie është t’u mundësojë të moshuarve “plakje dinjitoze”. Kjo theksohet duke marrë parasysh që pensioni për shumicën e tyre është minimal dhe shpesh i pamjaftueshëm në raport me çmimin dhe standardin e jetesës në Shqipëri, dhe nëse nuk do të kishin mbështetjen e të afërmve të tyre, veçanërisht në emigracion, do ta kishin të pamundur të përballonin jetesën.

-Cilat janë detajet rreth pensionit të 13-të dhe indeksimit të diferencuar?

Pensioni i 13-të: Është një nga pritshmëritë e kësaj strategjie të re. Eksperti thekson se nuk do të jepet menjëherë, por do të vijë në një moment të mëvonshëm. Besohet se mund të jetë rreth vitit 2027 ose edhe në vitin e fundit të strategjisë, deri në 2030. Kjo do të jetë një politikë më e konsoliduar dhe më e afatgjatë, ndaj kërkon një investim nga buxheti në mënyrë të qëndrueshme, dhe nuk do të jetë thjesht një bonus i përkohshëm. Pensioni i 13-të nënkupton një pension në nivelin e asaj që pensionisti merr gjatë një muaji. Pra, ka të bëjë me shtim të vlerës dhe me konsolidim të politikës, e cila pritet të shpërndahet në fund të vitit, ngjashëm me pagën e 13-të.

Lexo edhe :  Policia reagon për sherrin në Rinas: 18 anëtarë të së njëjtës familje u zunë sepse...

Indeksimi i diferencuar: Kjo do të thotë që ai që ka pension më të ulët do të indeksohet më shumë. Konkretisht, pensionet e ulëta, sidomos ato që janë nën kufirin e pensionit minimal, do të përfitojnë diçka më shumë se norma e inflacionit dhe llogaritja standarde e indeksimit. Kjo vlerë e rritur mund të arrijë deri në dyfishin e asaj që është marrë deri më sot si indeksim standard për pensionet e ulëta. Megjithatë, ndikimi i kësaj nisme për arritjen e një “plakjeje dinjitoze” vlerësohet të jetë modest apo i moderuar në aspektin e vlerës, pasi edhe me këto shtesa, të gjitha përfitimet kolektive mund të mos arrijnë një nivel jetese dukshëm më të lartë.

-Cilat problematika janë hasur në zbatimin e strategjive të mëparshme dhe cilat janë sfidat aktuale?

Analiza e strategjisë së parë (2020-2024), megjithëse kishte një qasje konceptuale shumë të avancuar, tregoi problematika të shumta:

  1. Mungesa e strukturave institucionale funksionale, jo vetëm në nivel qendror, por sidomos në institucionet vendore, të cilat duhet të luajnë një rol shumë më të madh.
  2. Mungesa e theksuar e financimeve në nivel vendor: 70% e bashkive nuk patën fare financime të hapura ose u bazuan mbi projekte të huaja, të cilat nuk garantojnë dot qëndrueshmërinë e këtyre politikave dhe skemave.
  3. Nuk pati një gjithëpërfshirje të të gjithë grupeve dhe munguan incentivat më të mira fiskale apo një përfshirje më e mirë ekonomike në atë që quhet “ekonomia e argjendtë”.
  4. Nuk u bë një dallim i qartë për barazinë gjinore të pensioneve, pasi gratë në tërësi tentohet të kenë nevojë për më shumë stimulim dhe integrim.

Aktualisht, Shqipëria përballet me një sfidë demografike: ka një rritje të jetëgjatësisë, por nga ana tjetër nuk ka një shtim të kontributorëve në sistem, pra atyre që janë në punë dhe paguajnë sigurime.

-A është reforma e pensioneve e vitit 2015 e mjaftueshme për adresimin e sfidave aktuale?

Reforma e pensioneve e vitit 2015, megjithëse aso kohe u trumbetua fort se do të jepte efekte pozitive dhe do të çonte në një shëndoshje të skemës, një dekadë më pas, jemi në kushte të tjera. Kjo tregon se ajo nuk ka dhënë efektet e dëshiruara. Eksperti sugjeron se ka nevojë për një reformë në sistem, duke pasur parasysh rritjen e jetëgjatësisë dhe mungesën e shtimit të kontributorëve./e.t