Udhëtimi i Vespuçit, si një Bildungsroman

Një dokumentar me katër episode në Rai rrëfen historinë

Nga Francesca Pierleoni

Të hysh “në zorrët e kësaj anijeje me vela, e cila është kthyer në ambasadoren e parë italiane në botë, por ta bësh këtë në mënyrë intime, me një histori korale, për të pasur sa më shumë këndvështrime, duke privilegjuar atë të studentëve”.

Kështu e përshkruan Maria Pia Ammirati, drejtoreshë e Rai Fiction, qëllimin e “Vespucci, il viaggio più lungo”, një dokumentar me katër episode të regjisorit Flavio Maspes, me zërin rrëfimtar të aktorit Luca Ward dhe muzikën e fituesit të çmimit Oscar, Nicola Piovani. Dokumentari na fton të hipim në bordin e anijes ikonike stërvitore të Marinës italiane për të përjetuar nga afër disa prej çasteve më të forta të udhëtimit të saj përreth botës, i cili nisi në vitin 2023 dhe u përmbyll së fundmi në Xhenova, në Ditën e Marinës.

Seriali dokumentar, që do të transmetohet në Rai në fund të vjeshtës, është prodhuar nga Palomar në bashkëpunim me Rai Fiction dhe është realizuar falë mbështetjes së Ministrisë së Mbrojtjes, Marinës, shoqërisë Difesa Servizi, Ninetynine dhe Ministrisë së Kulturës.

Përmes protagonistëve të këtij udhëtimi – para së gjithash kadetëve të Akademisë Detare dhe komandantit të anijes, Kapiten Giuseppe Lai – ndjekim Turneun Botëror të Vespucci-t (me më shumë se 35 ndalesa në 30 vende), i ndërthurur me projektin Villaggio Italia, një mini-ekspozitë shumëvjeçare lëvizëse që e shoqëroi anijen për të promovuar ekselencën italiane nëpër botë.

“Një sukses që e sjellim në ekran përmes një rrëfimi të bukur formimi – thekson producenti i Palomar, Carlo Degli Esposti –. Shohim udhëtimin e këtyre të rinjve nga Akademia Detare e Livornos drejt formimit të tyre në bord për t’u bërë detarë të vërtetë. Një rrëfim i përditshëm që ndërthuret me pamje mbresëlënëse; është turneu më i bukur botëror që mund të imagjinohet.”

Lexo edhe :  Klaudia Kardinale kishte forcë, karizëm dhe tërheqje sensuale

Në bordin e anijes – e gjatë 80 metra, duke përfshirë harkun – ndodhen rreth 250 persona, por bashkë me studentët numri shkon në 400. “Nuk ishim mësuar me një prani kaq të madhe dhe të vazhdueshme të kamerave – shpjegon Komandant Giuseppe Lai –. Sepse nuk bëhej fjalë për të filmuar dhjetë minuta çdo javë, por për orë të tëra xhirimesh që hynin edhe në brendësi të anijes. Na u desh kohë për t’u njohur, por pas asaj faze të parë, lindi një marrëdhënie shumë e bukur: operatorët u bënë pjesë e ekuipazhit.”

“Ishte ideja e Ministrit Crosetto që ta shoqëronte këtë udhëtim botëror me promovimin e Made in Italy – thekson Luca Andreoli, drejtor ekzekutiv i Difesa Servizi. – Ne shkuam përtej mënyrave tradicionale të komunikimit. Forcat e Armatosura Italiane janë një shembull ekselence në rang botëror dhe ishin në gjendje të shprehnin vlerat e tyre duke treguar njëkohësisht historinë e ekselencave të tjera të vendit.”

Mes studentëve të Akademisë së Livornos që morën pjesë në udhëtim janë edhe njëzetvjeçarët Alice Pezzotta dhe Mario Carbone.

“U rrita në një qytet të vogël bregdetar – thotë Alice Pezzotta –. Gjithmonë kam qenë e lidhur me këtë kulturë detare. Më pas ky pasion u bashkua me atë për forcat e armatosura, për këtë sistem të madh që i jep vendit siguri dhe besim. Eksperienca në Amerigo Vespucci ishte një ëndërr e bërë realitet për mua.”

Burimi: ansa.it/ Përgatiti: L.Veizi