Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shprehur nga qelia se ka qenë ai që ka kërkuar rinumërimin e votave në Bashkinë e Kavajës, e vetmja nga pesë bashkitë e qarkut Tiranë ku opozita fitoi në 11 Maj. Në një intervistë për Report TV, ai ka thënë se ka marrë shumë pak vota.
“Rinumërimin në Kavajë e kërkova unë se mu duk rezultat i pabesueshëm, pasi dilnin më pak vota se sa letra unë ju kisha dërguar shokëve, miqve të shumtë. Thjesht për t’u orientuar më mirë për të ardhmen, pasi zgjedhjet vendore po vijnë dhe jo vetëm ato por edhe të parakohshmet”, ka thënë Ilir Meta.
Kavaja është e vetmja bashki e qarkut të Tiranës e cila u fitua nga Partia Demokratike, duke mbetur një bastion i së djathtës, ndërkohë që katër bashkitë e tjera i mori Partia Socialiste.
“Të rinumërohen të gjithë fletët e votimit në Bashkinë Kavajë. Dyshime të arsyeshme për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave Kërkesa jonë në funksion të transparencës dhe legjitimitetit të rezultatit përfundimtar”, thuhet në kërkesën e PL drejtuar KQZ-së.
Vetë Ilir Meta garoi në listë të hapur në zgjedhjet e 11 Majit, por nuk arriti të siguronte mandatin. I pyetur gjatë intervistës për Report TV, ai tha se qëllimi nuk ishte sigurimi i një ulseje në Kuvendin e ri, por një mesazh se për fitoren opozita duhet të bëjë sakrifica.
“Kandidimi im nuk kishte qëllim domosdoshmërinë për t’u bërë deputet, se këtë e kisha të garantuar në listë të mbyllur, por edhe pse në kushte izolimi kriminal të jepja mesazhin se për fitoren opozita duhet të bëjë sakrifica ekstreme.
Po kështu, që Ilir Meta nuk e tradhton Ilir Metën, pra kauzën e listave të hapura, për të cilat hyra në greve urie në Kuvend që në 2008 kur iu bënë ndryshimet e pabesa asaj Kushtetute të mrekullueshme që kishim deri atëherë”, është shprehur Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë. m.p.