Skandali/ Dënimi me karrige elektrike i djalit afro-amerikan për një vrasje të suposuar

Në moshën 14 vjeç, George Junius Stinney, Jr bëhet personi më i ri i ekzekutuar në Shtetet e Bashkuara në shekullin e XX.

Po kush ishte George Junius Stinney, Jr.?

Ai u lind më 21 tetor 1929, në Alcolu, Karolina e Jugut — një qytezë e vogël që ishte thellësisht e ndarë nga racat. Familja e tij, me origjinë afro-amerikane, jetonte në skajin e lagjes me ngjyrë, ndërsa të bardhët banonin veç. Alcolu ishte një vend ku segregacioni racial ishte i institucionalizuar, që nga vendet e banimit, te shkollat, kishat dhe vendet e punës.

Ngjarja tragjike

Më 23 mars 1944, dy vajza të bardha, Betty June Binnicker 11 vjeçe dhe Mary Emma Thames 7 vjeçe, u gjetën të vdekura në Alcolu. Ato kishin dalë nga shtëpia me biçikleta për të mbledhur lule, por kurrë nuk u kthyen. Trupat e tyre u gjetën të nesërmen, të hedhur në një gropë me baltë, me plagë të rënda nga goditjet me shufër.

Arrestimi 

George Stinney, që ishte i fundit që i pa vajzat gjallë, u arrestua nga policia pa praninë e prindërve. Sipas autoriteteve, ai, 14-vjeçari i trembur, paska pranuar vrasjet, por rrëfimi i tij kurrë nuk u dokumentua me shkrim, dhe ai u mor pa praninë e avokatit. Detajet që ai gjoja u dha, ishin kontradiktore dhe të paqarta.

Gjyqi 

Gjyqi i George Stinney filloi më 24 prill 1944. I gjithë procesi zgjati rreth 2 orë e gjysmë. Juria, e përbërë tërësisht nga burra të bardhë, e shpalli fajtor pas 10 minutash. Mbrojtja që i ishte caktuar, që ishte një avokat i emëruar nga gjykata, nuk thirri asnjë dëshmitar, nuk kundërshtoi provat, dhe qëndroi thuajse inaktive.

Ekzekutimi

Më 16 qershor 1944, George Stinney Jr., që peshonte rreth 40 kilogramë dhe ishte 1.55 m i gjatë, u ul i lidhur në karrigen elektrike. Meqenëse ishte i vogël, u desh të vendoseshin disa libra nën të që elektrodat t’i vendoseshin si duhet. Ekzekutimi u krye me 2,400 volt. Dëshmitarët që ishin të pranishëm, deklaruan se karriga ishte “tepër e madhe” për trupin e tij të vogël.

Lexo edhe :  1 Shtator 1939 – Gjermania pushton Poloninë, nis Lufta e Dytë Botërore

Rehabilitimi

Rasti i George Stinney u rihap pas dekadash, falë përpjekjeve të familjes, avokatëve dhe organizatave që luftojnë për të drejtat civile. Më 17 dhjetor 2014, gjyqtarja Carmen T. Mullen e Karolinës së Jugut anuloi dënimin, duke deklaruar se procesi gjyqësor ishte “thellësisht i padrejtë” dhe që të drejtat kushtetuese të Stinney-t u shkelën.

Rëndësia e rastit

Rasti i George Stinney Jr. qëndron si një nga shembujt më tragjikë të padrejtësive që pësuan afro-amerikanët. Ekzekutimi i tij — i fëmijës më të ri që u dënua me vdekje në Shtetet e Bashkuara — nxjerr në pah racizmin institucional, mungesën e procesit të rregullt, si dhe pabarazitë që karakterizonin sistemin e drejtësisë.

Përgatiti: L.Veizi