17 qershor 1940/ Fundosja e RMS Lancastria, tragjedia më e madhe detare e Britanisë

Më 17 qershor 1940, ndërsa forcat gjermane përparonin me shpejtësi përmes Francës, qeveria britanike urdhëroi Operacionin Ariel — evakuimin urgjent të trupave, civilëve dhe refugjatëve nga portet perëndimore franceze.

Një nga anijet e përdorura për këtë qëllim ishte RMS Lancastria, një transoqeanik që normalisht shërbente si anije pasagjerësh.

Lancastria, që peshonte rreth 16.000 tonë, u dërgua nga Royal Navy për të nxjerrë nga Franca sa më shumë ushtarë, personel, civilë dhe refugjatë që të ishte e mundur.

Porti i Saint-Nazaire ishte i mbushur me anije që prisnin të merrnin të evakuuarit, ndërsa nga toka vinin pa pushim forca që iknin nga avancimi gjerman.

Sipas dëshmive, rreth 9.000 veta u ngjitën në bord, që ishte disa herë më shumë se kapaciteti normal i anijes.

Njerëzit që u strehuan aty ishin nga të gjitha shtresat — ushtarë që tërhiqeshin nga Franca, civilë që iknin nga bombardimet, refugjatë nga vendet që sapo kishin rënë, personel mjekësor, gra dhe fëmijë — të gjithë me shpresën që anija do t’i çonte përtej Kanalit, në Britani, e kësisoj, drejt shpëtimit.

Sulmi ajror dhe mbytja e anijes

Rreth orës 15:50, ndërsa RMS Lancastria qëndronte e ankoruar rreth 11 km nga Saint-Nazaire, u sulmua nga avionët gjermanë Junkers Ju 88.

Një nga bombat që lëshuan u qëlloi vavavrat e anijes, duke shpërthyer në vendin ku ndodheshin depozitat e karburantit.

Një shpërthim i dytë pasoi, që dëmtoi strukturën e anijes dhe e vuri flakën.

Flakët u përhapën me shpejtësi, duke e kthyer transoqeanikun nga një mjet shpëtimi, në një ferr lundrues.

Njerëzit që qëndronin brenda u bllokuan nga tymi, zjarri dhe uji që vërshonte nga të çarat.

Disa u hodhën nga kuverta, duke u përpjekur të shpëtonin me not, ndërsa të tjerë qëndruan të bllokuar pa rrugëdalje.

Lexo edhe :  1 Shtator 1939 – Gjermania pushton Poloninë, nis Lufta e Dytë Botërore

Brenda 20 minutash, anija u përmys dhe u mbyt.

Një tragjedi e mbuluar nga censura

Bilanci i saktë i viktimave mbetet i paqartë edhe sot.

Vlerësimet variojnë nga 3.000 deri në 5.800 të vdekur.

Qeveria britanike vendosi censurë dhe urdhëroi që lajmi të mos publikohej, nga frika se tragjedia do të dëmtonte moralin e vendit, që sapo po përballej me disfatën e Francës.

Si rezultat, mbytja e Lancastria-s qëndroi për dekada të tëra një nga tragjeditë më pak të njohura të Luftës së Dytë Botërore.

Rëndësia historike

Mbytja e RMS Lancastria-s qëndron si fatkeqësia më e madhe detare e Britanisë, që i kalon edhe Titanikut (1912) nga numri i viktimave.

Ajo ilustron chaos-in, panikun dhe tragjeditë që shoqëruan evakuimin nga Franca.

Një nga mësimet që la pas ishte vulnerabiliteti i anijeve që përdoren për qëllime ushtarake, pa patur mbrojtje adekuate, dhe rreziku që vjen nga mbipopullimi i tyre.

Kujtesa

Sot, mbytja e Lancastria-s përkujtohet me përmendore, ceremoni vjetore, dhe dokumentarë që tregojnë historitë e të mbijetuarve. Emri i anijes qëndron si një paralajmërim tragjik, që lufta prek edhe civilët, edhe të pafajshmit, që përpiqen të ikin nga zonat e rrezikut.

Përgatiti: L.Veizi