17 qershor 1953/ Tronditet Gjermania Lindore, nis kryengritja e Punëtorëve

Më 17 qershor 1953, Gjermania Lindore (Republika Demokratike Gjermane) u trondit nga një kryengritje e madhe popullore, që lindi nga pakënaqësitë e thella sociale, ekonomike dhe politike që po kalonte vendi nën regjimin komunist. Protestat filluan nga punëtorët e ndërtimtarisë në Berlinin Lindor, që u revoltuan kundër rritjes së kuotave të punës — pra detyrimin që u vihej që të prodhonin më shumë pa rritje page — si dhe kushteve të vështira të jetesës. Një grevë që filloi nga disa qindra punëtorë u shndërrua shpejt në një lëvizje mbarëpopullore, që u përhap edhe në qytete të tjera të Gjermanisë Lindore, si Magdeburg, Halle, Leipzig, Dresden, Jena e Rostock.

Ndërhyrja sovjetike

Duke e parë që revolta po merrte përmasa të rrezikshme, Bashkimi Sovjetik urdhëroi ndërhyrjen e ushtrisë. Një divizion i Ushtrisë Sovjetike, i vendosur në Gjermaninë Lindore, hyri me tanke dhe autoblinda në Berlinin Lindor për të shuar kryengritjen. Forcat sovjetike, të mbështetura nga policia e Gjermanisë Lindore (Volkspolizei), përdorën armë zjarri për të shpërndarë turmat, që kërkonin liri, kushte më të mira jetese dhe fundin e diktaturës komuniste.

Viktimat e kryengritjes

Sipas shifrave zyrtare, 5 policë gjermano-lindorë humbën jetën, ndërsa nga ana e protestuesve, numri i të vrarëve llogaritet të paktën rreth 100. Dhjetëra, madje qindra të tjerë u plagosën, ndërsa mijëra u arrestuan nga autoritetet. Shtypja e kryengritjes ishte e ashpër, me dënime me burg, persekutime, dhe pushime nga vendet e punës për ata që u identifikuan si organizatorë apo pjesëmarrës.

Pasojat

Kryengritja e 17 qershorit 1953 u bë simbol i rezistencës popullore ndaj regjimit komunist.

Edhe pse u shtyp me dhunë, revolta tregoi se nën sipërfaqen e “rendit” që propagandonte qeveria qëndronte një pakënaqësi e thellë sociale, që më vonë do të shpërthente sërish, veçanërisht në vjeshtën e 1989-ës, me rënien e Murit të Berlinit.

Lexo edhe :  1993 - Kapitull i ri në konflikt, Organizata Çlirimtare e Palestinës njeh Izraelin

Në Gjermaninë Perëndimore, 17 qershori u shpall “Dita e Unitetit Gjerman”, që përkujton qëndresën e gjermanolindorëve kundër shtypjes. Deri në ribashkimin e Gjermanisë (1990), kjo datë qëndroi si një symbol i lirisë dhe i dëshirës për demokraci.

 

Përgatiti: L.Veizi