Jetojmë një kohë kur një pjesë e madhe e këshillave mjekësore vijnë tek ne përmes mediave sociale, shpesh si zgjidhje e problemeve që vetë këto media shkaktojnë duke krijuar standarde joreale të bukurisë dhe estetikës. Falë tyre, ekzistojnë një sërë trendesh që lindin dhe rikthehen herë pas here, si dietat keto, fasting, detox-et e ndryshme, e deri tek terapitë dehidrimit të organizmit.
Por çfarë ndodh kur kujdesi për trupin shndërrohet në agresion ndaj vetes? Kur nuk kërkojmë më të ushqehemi, por të sfilitim trupin për hir të disa standarteve estetike të vendosura nga të tjerët? Në episodin e fundit të Apostrof Podcast, mjekja Albana Daka ngre një alarm: shumë nga këto dieta dhe “terapi” që premtojnë humbje të shpejtë peshe, mund të dëmtojnë seriozisht shëndetin, madje edhe në mënyrë të parikuperueshme.
Ajo ndan edhe një rast tronditës nga përvoja e saj si mjeke, kur një djalë i ri përfundoi në dializë për shkak të dehidratimit ekstrem, i bindur se nëpërmjet saunave dhe kufizimit të ujit do humbte peshë më shpejt. Dhe ja ku jemi: nga obsesioni për të humbur disa kilogramë, drejt dëmtimit të organeve jetike. Nga estetika tek patologjia… Një rrugë që nis në Instagram dhe përfundon në spital.