Kauzat e mëdha të PD-së bien nga lidershpi i vogël!

Nga Sebi Alla

Në dy daljet e fundit në konferenca shtypi, kryetari i PD-së Sali Berisha ngjau disi i dorëzuar në atë që e ka quajtur paraqitje të provave të rënda të manipulimit të zgjedhjeve. Publikimi i disa rasteve si votim i shumëfishtë këtu në vend, pirgje zarfesh me votën e disporës që tërhiqen nga një person dhe çdo dyshim për manipulim ndonëse qëndrojnë, paradoksalisht nuk ngjsin në elektorat, qofshin edhe në ata 520 mijë qytetarë që zgjodhën të votonin PD-në e cila nuk njeh erën e pushtetit që nga viti 2013.

Si është e mundur që shumë votues, qindra mijëra të PD-së që besojnë se zgjedhjet janë depformuar nga qeveria që në gjenezë më përdorim administrate, krimi dhe para për blerje vote, nuk ngrihen në protestë? Kauza është aq e madhe ku preket vota, pasi direkt cënohet edhe dinjiteti votuesit, por reagim nuk ka. Kjo jo për frikë, sado i “tmerrshëm” të jetë regjimi, por ka diçka të vërtetë brenda PD-së, kauzat e mëdha i zvogëlon prania e lidershipit, i cili politikën duket se nuk e sheh si përgjegjësi, por privilegj, qoftë kjo edhe të qenit në krye të opozitës.

Shumë demokratë, me apo pa të drejtë, me apo pa prova, janë të bindur se zgjedhjet e 11 majit PS dhe Rama i mori me shantazh, përdorim të administratës, futjen në lojë të parasë së pisët të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe çdo forme tjetër të paligjshme apo jo morale. Megjithë këtë bindje, sërish nuk janë gati të dalin në shesh për të protestuar ashpër, por të bindur se nëse të preket vota dhe tjetërsohet vullneti, as plumbi stë ndal drejt së drejtës.

Ajo që shihet tek demokratët e thjesht anëtarë apo votues të saj është demoralizimi dukshëm i madh. Ndjejnë se pushteti është larg, e gjithashtu ankohen se më keq do jetë jeta e tyre, pasi “patronazhistët” i kanë evidentuar dhe një punësim në shtet, apo një e drejtë që u takon për një legalizim prone, apo dokument pronësie trualli apo tokë are as nuk mund ta ëndërrojnë, por sërish e kanë me të vetët. Berisha nuk i frymëzon më, nën zë e madje haptas shprehen se jo vetëm e ka kryer ciklin e tij politik dhe duhet të largohet, por nuk ka të drejtën morale që të paracaktojë pasardhësin e tij, siç bëri me Lulzim Bashën, që tashmë e ka “armik të mposhtur”.

Lexo edhe :  Ylli Pata: Aruba, një babale karaibiane postzgjedhore?

Gjithashtu nuk frymëzon aspak as premtimi I Berishës se është në mission dhe nuk largohet pa siguruar votën e lirë, apo pretendimin se ka ndërgjegjësuar ndërkombëtarët që të mos njohin zgjedhjet e 11 majit. Ndërsa elektorati i PD-së e ndjen veten të shkuptur nga qëllimet e liderit, vetë Berisha e kupton qartë, por po shtyn në kohë mosllogaridhënien, e cila duket se nuk ka për të ardhur kurrë. Në kupolën e PD-së nuk flitet për ndonjë kërkesë të një grupi të caktuar që të kërkojnë largimin e Berishës. Të gjithë janë pajtuar me të qenit në opozitë, duke iu përulur karrigës së deputetit, apo të qenit në strukturat drejtuese të partisë më të madhe opozitare.

Ata presin shtatorin për të nisur sesionin e ri parlamentar me fjalime, denoncime, britma e shtyrje në spektaklin tashmë të njohur, por pa prekur thelbin e problemit, që në këtë rast u vjen edhe nga vetja. Sa për grupin Parlamentar janë të njëjtit, me disa shtesa të vogla që vijnë nga partitë aleate të cilët siguruar vendin e deputetit me qyl të theksuar.

Kupola duket e shkëputur tërësisht nga mbështetësit e tyre, sin ë kauza, ashtu edhe në përpecptimin se politika është përgjegjësi dhe jo privilegj. Të djathtët shkuan në votime jo për të siguruar 50 ulëse opozitës, por të vinin në pushtet, por kur kupola drejtuese krijon hendek me elektoratin e saj PD duket tërësisht e dështuar. Kjo forcë politike në këto momente duhet të trajtohej nga ata që e drejtojnë si aset kombëtar dhe jo si “pronë personale”. Edhe deklaratat se do të bëjnë një analizë të thellë ngjajnë si ëndrrat e një nate vere, për të shtyrë në kohë përgjegjësinë e humbjes, deri në venitje për të pritur zgjedhjet lokale pas dy vitesh dhe ato parlamentare pas katër vitesh.

Një subjekt politik që edhe kur thërret një protestë sheh motin në është më stuhi shiu, apo pisk vape, e ka të vështirë të bindë. Kauzat e mëdha nuk u tut shiu, vapa, apo qoftë edhe gazi lotsjellës dhe shkopi gomës i një policie, qoftë edhe militante politike, sepse kauzat e mëdha politike bien nga liderët me interesa të vogla.