Autoritetet qipriote kanë arrestuar një shtetas azerbajxhanas nën dyshimin për përfshirje në aktivitete spiunazhi dhe planifikimin e një sulmi terrorist. I dyshuari u paraqit para Gjykatës së Qarkut të Limasolit, e cila vendosi ta mbajë në paraburgim për një periudhë tetëditore. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së lartë të çështjes.
Sipas mediave qipriote dhe izraelite, i ndaluari dyshohet se është anëtar i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, një forcë elitare e njohur për operacione të jashtme dhe lidhje me aktorë të armatosur në Lindjen e Mesme. Informacioni që çoi në arrestimin e tij u mor nga një agjenci e huaj partnere dhe konsiderohet “shumë konfidencial dhe i besueshëm”.
Gjatë vëzhgimit, ai është parë duke mbajtur një aparat fotografik profesional me lente zmadhuese dhe tre telefona celularë. Ai dyshohet se ka bërë fotografi dhe video të lëvizjeve në zonën e bazave britanike, si dhe ka mbajtur shënime gjatë vëzhgimeve të detajuara. Aktivitetet e tij nuk u kufizuan vetëm në Limasol. Ai gjithashtu udhëtoi me autobus drejt Pafosit, ku vizitoi bazën ajrore “Andreas Papandreu”, duke kryer të njëjtën lloj dokumentimi të dyshimtë.
Autoritetet qipriote janë në fazën e hetimit për disa akuza të rënda, përfshirë akuzat për terrorizëm, spiunazh, komplot për të kryer një krim të rëndë dhe vepra të tjera të ndërlidhura. Arrestimi i tij vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme./kb