Netanyahu po përdor “të drejtat” e grave myslimane për të justifikuar luftën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Mona Eltahawy*

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përmendur bilancin mizor të regjimit iranian mbi të drejtat e grave për të justifikuar luftën po aq mizore që po zhvillon ndaj Iranit. Ky është i njëjti njeri që, përmes gjenocidit ndaj palestinezëve në Gaza, vrau më shumë gra dhe fëmijë në vitin e parë të konfliktit të tij sesa çdo luftë tjetër e dy dekadave të fundit.

“Ju kanë varfëruar, ju kanë dhënë mjerim, vdekje, terror. Qëllojnë gratë tuaja, duke lënë të gjakosur në trotuar atë grua trime e të jashtëzakonshme, Mahsa Amini, vetëm pse nuk kishte mbuluar flokët,” – u tha Netanyahu iranianëve në një intervistë për Iran International.

Është e pabesueshme të dëgjosh Netanyahu-n t’u bëjë thirrje iranianëve të ngrihen kundër të njëjtave gjëra që ai vetë u ka bërë palestinezëve. Por nuk është aspak e habitshme. Unë i njoh shumë mirë mënyrat se si imperialistët, pushtuesit dhe invaduesit i përdorin trupat dhe të drejtat e grave myslimane si justifikim për luftërat e tyre.

Si egjiptiane, e di që kolonizatorë si Evelyn Baring – Konti i parë i Cromer-it dhe sunduesi de facto i Egjiptit mes viteve 1883 dhe 1907 – mbështeste të drejtat e grave egjiptiane, ndërkohë që në vendin e tij ishte kundër të drejtës së grave për të votuar. Larg së çliruar grave egjiptiane, Baring e bëri thuajse të pamundur që kundërshtarët e pushtimit të kritikonin traditat apo praktikat fetare pa u dukur sikur po mbanin anën e Perëndimit.

Si një grua me origjinë myslimane, e kujtoj shumë mirë sesi SHBA-ja e justifikoi pushtimin e Afganistanit si përpjekje për të “çliruar” gratë nga mizogjinia e Talibanëve. Pas njëzet vitesh lufte katastrofike dhe tërheqjeje kriminalisht të çorganizuar, Talibanët janë sërish në pushtet.

Edhe më keq – dhe më turpshëm – si feministe, e di se ndryshe nga feministet afgane, shumë feministe të bardha në SHBA ishin mbështetëse të zëshme të këtij pushtimi, pa e kuptuar rrezikun që qëndron në përdorimin e të drejtave të grave nga fuqitë imperialiste. Drejtuese të organizatës Feminist Majority Foundation – përfshirë Eleanor Smeal, ish-kryetare e National Organization for Women – merrnin pjesë në aktivitete në Departamentin e Shtetit dhe takoheshin me zyrtarë të administratës. Në pranverën e vitit 2002, revista Ms e cilësoi pushtimin si një “koalicion shprese”.

“Ndërsa arrijmë objektivat tona, po hapim rrugën që edhe ju të arrini lirinë tuaj,” – tha Netanyahu në një tjetër fjalim televiziv drejtuar iranianëve. “Kjo është mundësia juaj për t’u ngritur dhe për të bërë zërin tuaj të dëgjohet. Grua, jetë, liri – zan, zendegi, azadi.”

Vdekja e Mahsa Amini-t, një gruaje kurde 22-vjeçare, në një spital në Iran në shtator 2022 – disa ditë pasi ishte arrestuar nga “policia e moralit” për mosrespektim të ligjit për mbulimin e flokëve – ndezi revolucionin feminist “grua, jetë, liri”. Gratë, njerëzit queer dhe minoritetet e margjinalizuara në Iran u ngritën për të luftuar jo vetëm kundër ligjit të detyrueshëm për mbulesën, por edhe kundër dekadave të shtypjes së regjimit.

Lexo edhe :  “Kandidati Mancurian” dhe kontrolli i mendjes, kur paranoja kthehet në fakt

Ato nuk kishin nevojë për Netanyahu-n atëherë dhe as tani. Përkundrazi, përpjekja e tij për të rrëmbyer këtë kryengritje të guximshme është mënyra më e shpejtë për të diskredituar vetë feminizmin – që shpesh cilësohet si “perëndimor” dhe i huaj. Luftërat dhe pushtimet e dëmtojnë, nuk e ndihmojnë, revolucionin. Si egjiptiane, e di shumë mirë që regjimi im u përpoq me çdo mënyrë të portretizonte revolucionin e 25 Janarit të vitit 2011 si një konspiracion i drejtuar nga jashtë.

Ndryshimi i regjimit në Teheran mund të tingëllojë si ide e mirë. Por historia na tregon se është pothuajse e pamundur.

Mbrojtja e “vlerave liberale e perëndimore” të të drejtave të grave është një mbulesë e lehtë morale për pushtime, luftëra apo kolonizime që në thelb motivohen nga etja për pushtet, burime – ose të dyja. Po të kujdeseshin vërtet liderët perëndimorë për autonominë trupore të grave, ndoshta do të shikonin më afër vetes. I njëjti George W. Bush që pretendonte se po mbronte gratë nga burka dhe Talibanët, ishte i pari që, sapo hyri në detyrë, preu fondet për organizatat ndërkombëtare të planifikimit familjar që ofronin këshillim apo shërbime për abortin.

A do të kërkonin vallë feministet e bardha sot pushtimin e SHBA-së, ku një foshnjë e parakohshme u nxor nga trupi në dekompozim i një gruaje të zezë, që ishte në gjendje të vdekur klinikisht, dhe u trajtua si inkubator kundër vullnetit të partnerit dhe familjes së saj – për shkak të ndalimit të abortit në shtetin e Xhorxhias? Përzierja e patriarkisë me teokracinë tek “policia e moralit” në Iran është më e lehtë për t’u parë për shkak të mbulesës së detyruar. Por çfarë është shtatzënia e detyruar nga fanatikët fetarë në SHBA përveçse një formë tjetër patriarkie mbi teokraci?

Luftërat dhe pushtimet nuk i çlirojnë gratë. Pyetni gratë afgane sot. Sa herë një fuqi perandorake pretendon se po “çliron” gratë nga “burrat e tyre”, këta burra do të kërkojnë të rikthejnë kontrollin mbi “gratë e tyre” sapo pushtuesit të largohen. Talibanët 2.0 kanë ndaluar arsimin për vajzat, kanë ndaluar punësimin e grave në sektorin publik dhe privat – përjashto shëndetësinë dhe pak departamente të tjera. Gratë nuk mund të udhëtojnë në distanca të gjata me makinë apo avion pa një shoqërues mashkull, as të vizitojnë vende publike si parqe, palestra apo banja publike pa një mashkull. Madje kanë mbyllur edhe sallonet e bukurisë vetëm për gra.

Si feministe, kam admiruar dhe mbështetur feministet iraniane që u ngritën për grua, jetë, liri. Dhe jam e sigurt se ato e dinë: armiku i armikut tënd nuk është patjetër miku yt.

*Mona Eltahawy është autore e buletinit “Feminist Giant” dhe e librave “The Seven Necessary Sins for Women and Girls” dhe “Headscarves and Hymens: Why the Middle East Needs a Sexual Revolution”.

Përgatiti për botim: L.Veizi

Të fundit

Gjergj Luca ironizon “Thurjen”: Mbahu Shaban, qëndro burrë!

Biznesmeni i njohur Gjergj Luca ka komentuar përmes një postimi në rrjete sociale përplasjen mes Adriatik Lapajt të "Shqipëria...

Egnatia fiton pastër ndaj kampionëve të Bjellorusisë, kualifikimi vuloset në Rrogozhinë

Egnatia ka mposhtur Dinamo Minsk me rezultatin 0 me 2 në transfertën e Hungarisë. Sfida e parë e vlefshme për turin e dytë të...

Ngjarja e Fierit, gazetarja zbulon detajet: Ishte masakruar në pjesët intime!

Anesti Rama 56 vjeç u vra në mënyrë makabër nga vajza e tij Emanilda Rama 26 vjeç në Fier. Burime bëjnë me dije se...

Përmbysje e madhe në “Loro Boriçi”, Vllaznia triumfon në ndeshjen e parë ndaj Vikingur

Vllaznia fiton 2-1 ndaj Vikingur Reykjavik në Shkodër, në ndeshjen e parë të turit të dytë të Conference League. Ndeshja u zhbllokua shumë shpejt, që...

A do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës? Kjo është përgjigjja e Arlind Qorit

Kreu i i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, ka përsëritur distancimin e tij politik nga dy partitë e mëdha, PS dhe PD, duke theksuar se...

Lajme të tjera

Web TV