Një shtetas shqiptar, i kërkuar si porositësi i një vrasje vite më parë në vendin tonë, ka rënë në prangat e policisë britanike. Sipas prestigjiozes “The Telegraph” mësohet se shqiptari 47-vjeçar, i identifikuar si Lorenc Lala është arrestuar së fundmi pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar.
Lala akuzohet se ka urdhëruar vrasjen e një personi, si pjesë e një hakmarrje të vazhdueshme mes dy familjeve. Ngjarja dyshohet të jetë pjesë e një zinxhiri konfliktesh për motive gjakmarrje, një fenomen i cili fatkeqësisht është ende i pranishëm në vendin tonë, kryesisht në veri, dhe që herë pas here ndikon edhe te komunitetet shqiptare në emigracion.
47-vjeçari dyshohet se ka organizuar vrasjen e Albi Bashaliut në vitin 2021 dhe për “kokën” e tij i ka paguar një shumë prej 50,000 eurosh Laert Haxhiut. Ky fakt u bë me dije nga vetë i penduari i drejtësisë shqiptare, Artan Tafani.
Pas kësaj ngjarje, e cila erdhi si shenjë hakmarrje për një tjetër vrasje të regjistruar në fshatin Gjocaj të Peqinit, Lala u largua nga Shqipëria për në Britani me besimin se Anglia do t’i siguronte një vend më të sigurt.
Autoritetet shqiptare kishin shpallur Lalën në kërkim, ndërkohë që ai kishte arritur të fshihej për katër vite në Mbretërinë e Bashkuar, pa u identifikuar nga policia vendase. Vetëm kohët e fundit, përmes bashkëpunimit mes INTERPOL-it dhe agjencive ligjzbatuese britanike, u arrit të gjurmohej vendndodhja e tij.
47-vjeçari u arrestua nga njësia e ekstradimit e Policisë Metropolitane dhe doli përpara gjykatës së magjistratëve në Westminster nën akuzën e komplotit për vrasje në Shqipëri. Aktualisht ai ndodhet në paraburgim deri në seancën tjetër që do të mbahet në korrik, ndërkohë që autoritetet shqiptare kërkojnë ekstradimin e tij.
Në një deklaratë zyrtare, Policia e Shtetit shqiptar bëri me dije se Lala ishte akuzuar në mungesë për përfshirjen në një “vrasje për gjakmarrje, krijimin e kushteve për të kryer vrasje dhe anëtarësim në një grup të strukturuar kriminal.”
“Vrasja e Albi Bashaliut ndodhi në vitin 2021. Lorenc Lala ishte organizatori i asaj vrasjeje, duke financuar të tjerë për ta kryer dhe duke krijuar kushtet që krimi të ndodhte. Më pas ai ndihmoi vrasësin të largohej nga vendi i krimit,” thuhet në deklaratë.
Pas vrasjes, Lala, i njohur edhe me pseudonimin Kristian Lala, iku nga Shqipëria dhe u fsheh në Britani. Vendndodhja e tij u zbulua më pas falë bashkëpunimit të policisë shqiptare me autoritetet britanike.
Kreshnik Ajazi, drejtues i Prokurorisë së Elbasanit, që ka hetuar çështjen, tha se rasti u zgjidh pasi një anëtar i grupit kriminal vendosi të bashkëpunojë me policinë.
“Arrestimi i tij në Britani dhe mundësia e ekstradimit nga gjykatat britanike përbën një sukses të madh dhe vijon marrëdhëniet e shkëlqyera mes autoriteteve tona për bashkëpunim në fushën e drejtësisë penale,” deklaroi ai.
Rasti ka rikthyer vëmendjen ndaj çështjes së gjakmarrjeve, që për dekada ka sjellë viktima dhe pasoja të rënda për shumë familje shqiptare. Shumë individë të përfshirë në gjakmarrje kanë kërkuar strehim në vendet perëndimore, shpesh duke përdorur procedurat e azilit politik ose forma të tjera të emigrimit për të shmangur ndjekjen penale ose për t’u mbrojtur nga hakmarrjet. m.p.