Tifozët e futbollit anglez kanë mbetur të çuditur kur kanë parë rrjetin të mbushet me një foto të Luk Uilliams. Trajneri i njohur londinez, me një të kaluar në klube si Nots Kauti e Suonsi, shfaqej si një punonjës aeroporti.
Uilliams u fotografua në Aeroportin e Bristolit, ku kishte dy javë që kishte filluar punë dhe padyshim ajo foto bëri xhiron e rrjeteve sociale. Ai ishte pushuar nga puna te Suonsi në muajin shkurt dhe ndonëse vazhdon të paguhet nga klubi në fjalë, ka zgjedhur që të bëjë edhe këtë lloj tjetër profesioni, teksa pret për një detyrë të re në pankinë.
Mediat britanike bëjnë të ditur se 44-vjeçari në fakt kryen një detyrë të veçantë në aeroport, pasi ai është personi i cili asiston pasagjerët me kufizim apo vështirësi lëvizje në terminalet e tij.
Ai ka treguar në intervista të mëparshme se ka punuar në zanate të ndryshme para se të bëhej një trajner, si në ngarkim-shkarkim kamionësh apo duke shërbyer si shofer në orët e natës, që të financonte karrierën e tij për kurset që i nevojiteshin. Por këtë radhë, mësohet se nuk bëhet fjalë për pagesa, pasi ky ishte thjesht një përkushtim i tij në ndihmë të personave në nevojë./e.t