Intervistë exclusive me sopranon e njohur të skenave ndërkombëtare
Intervistoi: Mentor Hoxha, Francë
E lindur në Tiranë, Blerta Zhegu nisi studimet në qytetin e saj të lindjes me Mjeshtren Nina Mula. Më pas studion me Nathaniel Brosdky, specializohet në Konservatorin “Claudio Monteverdi” të Bolzanos (Itali) me Giulio di Raco, në Konservatorin “Darius Milhaud” Aix en Provence me Laure Florentin dhe Monique Zanetti, në Accademia Chigiana (Siena) me Renato Bruson, në Centre National d’Artistes Lyriques CNIPAL (Marseille) dhe në Académie de Musique Française Michel Plasson (Regismont le Haut) me Michel Plasson, Sophie Koch dhe José Van Dam.
Që nga viti 2010, ajo ka interpretuar në skena prestigjoze ndërkombëtare si: Opera e Pisas, Opera e Livorno-s, Opera e Lucca-s, Opera e Novara-s, Teatri Komunal i Bolzano-s, Teatri Komunal i Vicenza-s, Teatri Komunal i Rovigo-s, Teatri Filarmonik i Verona-s (Itali), BOZAR (Bruksel) Casa della Musica (Quito, Ekuador), Amfiteatrot e El Jem, Oudhna (Tunizi) dhe Kelibias, Opera e Tuniz-it (Tunizi), Opera e Tashkent-it (Uzbekistan), Grand Opéra e Avignon-it, Opera e Vichy-së, Opera e Tiranës, Fondation Vasarely, Grand Théâtre de Provence (Aix en Provence), Auditorium Campra (Aix en Provence), Fondacioni Vasarely (Aix en Provence), Domaine d’O (Montpellier), Opera e Marseille-s, Salle Musikatreize (Marseille), Théâtre Capitole i Toulouse-s (Toulouse), Palais de la Musique et des Congrès (Strasbourg), Opera e Biarritz (Biarritz), Auditorium i Petit Palais, Auditorium i Cité de La Musique, (Paris) Chorégies d’Orange, Bruno Walter Auditorium, Lincoln Center (New-York) etj.
Për vokalin dhe interpretimet mjeshtërore ka marrë disa çmime të rëndësishme ndërkombëtare, si Çmimi Special i Jurisë në “VI Rassegna Concertistica” në Montichiari, (Itali), Çmimi i Parë në konkursin “ArsKosova”, (Kosovë), Çmimi i Tretë në konkursin “Trofeo la Fenice Seravezza”, (Itali) dhe pjesëmarrëse në disa projekte diskografike si “Miroir de femmes” dhe “Requiem”.
Kjo është intervista ime e dytë exclusive me Blerta Zhegun. Herën e parë e intervistova në Tiranë në vitin 2005 kur isha shef i kulturës në gazetën e njohur ditore “SOT”. Këtë herë po e intervistoj në Francë për gazetën ditore “Fjala”. Në këtë intervistë, Blerta zbulon jetën e saj që nga fëmijëria e deri në ditët tona, rrëfen karrierën e saj artistike, veçanërisht në Paris ku banon prej 12 vitesh, flet për fëmijërinë, rininë dhe jetën e saj studentore brenda dhe jashtë Shqipërisë, tregon arsyet që e detyruan të largohet nga Shqipëria si dhe momentet më të bukura dhe më të vështira gjatë udhëtimit të saj jetësor dhe profesional.
Intervista
Përshëndetje Blerta! Ju përgëzoj për sukseset e tua të mëdha në skenën franceze dhe në skena të tjera prestigjoze. Vitet e fundit ju keni patur një agjendë të ngjeshur artistike në Francë, New York etj. Cilat janë këto shfaqje dhe impresionet e tua dhe të publikut ?
Në rradhë të parë ju falënderoj për interesin që tregoni ndaj aktivitetit tim artistik. Kohët e fundit kam patur kënaqësinë të debutoj një vepër madhore siç është Sinfonia Nr 9 e Beethovenit me Operan e Biarritz-it dhe gjithashtu të interpretoj në një seri recitalesh në jug të Francës në bashkëpunim me Sunsnote Production. Në vitin 2024, isha e lumtur ndër të tjera të debutoja rolin e Mikaeles (Carmen) në Palais de la Musique et des Congrès të Strasburg-ut, të interpretoja në një sallë prestigjoze siç është Bruno Walter Auditorium i Lincoln Center në New York, apo të isha pjesë e programit zyrtar të Lojrave Olimpike të Parisit 2024 me dy recitale në Bashkinë e Paris-it.
Nga skenat e Shqipërisë në skenat më prestigjoze të botës. Si ndiheni? A ka qenë një punë e lehtë për ju për të arritur këtu ku jeni?
Është e vetëkuptueshme që rruga e një artisti nuk është asnjëherë e lehtë, aq më tepër kur një pjesë e jetës ndërtohet në një vend të huaj. Sado që jam shumë e lidhur me vendin tim të lindjes, dhe e vlerësoj shumë Francën, vendin ku jetoj dhe punoj tashmë prej 12 vitesh, mund të them që sot “ndihem pak e huaj” tek të dy këto vende. Ndoshta kjo është ndjesia që kanë të gjithë ata që e kanë njohur mërgimin.
Prej 12 vitesh, ju ndani jetën familjare dhe profesionale mes Francës dhe Shqipërisë? Kur je në Shqipëri a të merr malli për Francën dhe ansasjelltas?
Mbi të gjitha ndihem më shumë shqiptare kur jam në Francë sesa kur jam në Shqipëri dhe e anasjellta. Besoj se nëse nuk do të kthehesha për një kohë të gjatë në Shqipëri do të më merrte malli por kjo nuk ka ndodhur deri më sot, pasi gjej mundësinë të kthehem rregullisht.
Në Francë ka me dhjetra artistë të njohur shqiptarë. Si është bashkëpunimi juaj me ta dhe me komunitetin shqiptar në kryeqytetin francez ku ju banoni?
Në Paris, aktivitetet shqiptare janë më të shpeshta se kudo në Francë, pasi diaspora shqiptare është më e madhe në numër dhe më e mirëorganizuar. Personalisht kam patur kënaqësinë të marr pjesë si soliste në disa aktivitete të organizuara nga Ambasada e Shqipërisë në Francë apo nga Diaspora Shqiptare në Paris në bashkëpunim me artistë të tjerë shqiptarë. Të prezantonim muzikën e mrekullueshme shqiptare në Paris ka qenë çdo herë një sfidë e mirëpritur nga publikur parizien dhe mjaft emocionuese për ne.
Profesorët e tu të parë, kanë qenë solistët e mëdhenj shqiptarë Avni dhe Nina Mula. Vajza e tyre, Inva banon në Paris, ka patur ndonjë bashkëpunim artistik mes jush?
Kujtoj me nostalgji profesorët e mi të parë dhe admiroj dhe respektoj jashtë mase Invën si grua dhe artiste. Në korrik të 2024-ës isha e nderuar të isha e ftuar në Mik Festival, Festivalin lirik që ajo organizon me sukses prej shumë vitesh në Korçë.
Përse u largove nga vendlindja ?
Mbas diplomimit në Akademinë e Arteve në Tiranë nuk pashë shumë mundësi punësimi në Shqipëri. Gjithashtu kuptova që fakti që unë isha diplomuar me rezultate të larta nuk ndryshonte asgjë në këtë drejtim. Për këtë arsye dhe gjithashtu për një egzigjencë personale për të rritur nivelin dhe botëkuptimin tim, vendosa të largohem, në fillim në Itali, e më pas në Francë.
Mendoni që keni bërë zgjedhjen e duhur?
Mendoj që po.
Keni projekte të tjera në sirtarin tuaj të magjishëm artistik?
Do t’i rikthehem së shpejti rolit të Mikaelës, dhe jam entuziaste për këtë. Gjithashtu po punoj mbi disa projekte recitalesh.
Si të lindi pasioni për operan?
Ku isha fëmijë, në shtëpi dëgjonim shpesh operat “Rigoletto” dhe “Madama Butterfly”. Mbaj mend që një ndër “këngët” e para që kam memorizuar ka qenë aria e Dukës së Mantova-s “La donna e mobile”. Megjithatë pasioni i vërtetë për Operan ka ardhë shumë më vonë dhe shtohet sa më shumë që e njoh atë. Në fillim dëshiroja vetëm të këndoja e të qëndroja në skenë pasi kjo gjë më bënte të lumtur.
Nga dita e parë kur u ngjite në skenën shqiptare e deri më sot në skenat më prestigjoze franceze e botërore, cilat janë momentet më të bukura nga udhëtimi juaj artistik?
Momentet më të paharrueshme përsa i përket anës profesionale, kanë qenë momentet magjike dhe të papërshkrueshme në skenë, sukseset e ndara me njerëzit e dashur, udhëtimet dhe takimet me personalitete të mëdha të artit.
Po nga fëmijëria, rinia dhe jeta studentore brenda dhe jashtë Shqipërisë ç’farë të është memorizuar në kujtesë?
Më kujtohet që kishim shumë ëndrra në sirtar dhe bënim gjëra të mëdha me shumë pak. Kishim vështirësi të mëdha ekonomike dhe sociale por kur qeshnim, qeshnim me gjithë zemër. Nuk jetuam në perudhën më të kollajtë as ne e as prindërit tanë, por ndoshta kjo na bëri më të fortë dhe me kohën kuptuam që edhe në vendet më të zhvilluara njerëzit janë shpesh në kërkim të lumturisë, por rrallëherë të lumtur.
Keni një emër të bukur. Kush ju ka pagëzuar me këtë emër dhe përse?
Ju falënderoj. Mendoj që është një emër që i përket veçanërisht vajzave të gjeneratës time dhe që ma kanë dhënë prindërit e mi. I vetmi problem që më krijon ky emër është kur në Francë kujtojnë se është një version i emrit Berthe (Berta) dhe më duhet të shpjegoj çdo herë, që në të vërtetë domethënia e emrit tim është shumë më poetike.