Nga María Ramírez
Më 31 maj 2018, Pedro Sánchez, në atë kohë lider i opozitës socialiste, mbajti një fjalim të fuqishëm gjatë prezantimit të mocionit të mosbesimit që do ta çonte atë për herë të parë në postin e kryeministrit. Ishte një fjalim plot pasion dhe detaje. Objektivi i tij ishte kryeministri konservator i atëhershëm, Mariano Rajoy, dhe argumenti kryesor për rrëzimin e tij ishte korrupsioni i përhapur në partinë qeverisëse, i konfirmuar pak ditë më parë nga gjykata më e lartë penale e Spanjës.
“Korrupsioni vepron si një forcë gërryese dhe thellësisht e dëmshme për çdo komb,” tha Sánchez.
“Ai gërryen besimin e shoqërisë ndaj udhëheqësve dhe dobëson autoritetin e shtetit. Por gjithashtu godet në vetë rrënjën e kohezionit social. Kur korrupsioni lihet të përhapet lirshëm, pa një reagim të denjë politik, ai minon besimin në sundimin e ligjit. Në fund, shkatërron besimin në institucionet dhe, më thellë akoma, në vetë politikën.”
Sánchez premtoi një “rinovim demokratik” dhe standarde më të larta. Por shtatë vjet më vonë, jemi përballë një tjetër skandali korrupsioni – kësaj here brenda partisë së tij. Zyrtarë të lartë të qeverisë dhe të Partisë Socialiste Punëtore Spanjolle (PSOE) dyshohen për marrje ryshfeti nga kompani që fituan kontrata publike. Disa nga biznesmenët e përfshirë kanë punuar më parë me korporata të përmendura edhe në rastet që rrëzuan Rajoy.
Për më tepër, në këtë rast janë zbuluar edhe niveli shqetësues i seksizmit në politikën spanjolle, me incizime të publikuara ku dëgjohen komente vulgare për gratë dhe punonjëset e seksit.
Sánchez ka kërkuar falje disa herë ndaj publikut, është distancuar nga personat nën hetim dhe ka nisur një auditim të brendshëm. Ai këmbëngul se nuk është çështje që përfshin gjithë partinë. Por dëmi tashmë është bërë.
Nuk dihet ende përmasat e vërteta të aferës: nëse zyrtarët e përfshirë kanë vepruar për pasurim personal, për përfitime partiake, apo për të dyja. Ajo që është më thelbësore: nuk është e qartë nëse kryeministri kishte dijeni për çfarë ndodhte. Sánchez mohon kategorikisht çdo dijeni dhe ka shkarkuar dy nga bashkëpunëtorët më të afërt: José Luis Ábalos, ish-ministër dhe tani deputet i pavarur, dhe Santos Cerdán, një prej figurave kyçe të PSOE. Të dy mohojnë çdo faj.
Por, sido që të përfundojë kjo çështje, është tronditëse që gati 50 vjet pas kthimit të demokracisë në Spanjë, korrupsioni vazhdon të njollosë politikën.
Skandalet e para të mëdha politike në epokën demokratike ndodhën gjatë qeverisjes së socialistit Felipe González, në një kohë kur qeverisja ishte ende e papjekur. Kontrolli publik ishte minimal dhe rregullat për një ekonomi në lulëzim ishin të brishta.
Edhe pas pendesave publike dhe pretendimeve se “është mësuar nga e kaluara”, lista e skandaleve është vetëm zgjeruar – veçanërisht, por jo vetëm, tek dy partitë kryesore. Cila është justifikimi tani?
Përtej aferës me ryshfete, Sánchez po përballet gjithashtu me hetime që përfshijnë bashkëshorten dhe vëllanë e tij. Të gjitha palët i mohojnë akuzat, dhe këto raste duken më të dobëta, por ndikimi politik po grumbullohet.
Ndërkohë, Partia Popullore (PP), partia kryesore opozitare, mbetet e njollosur nga skandale të rënda, veçanërisht afera Gürtel, një rrjet i gjerë korrupsioni me kontrata publike, që çoi në burgosjen e zyrtarëve dhe biznesmenëve të lidhur me partinë.
Në Madrid, partneri i presidentes së rajonit është nën gjykim për mashtrim tatimor, çështje që është kthyer gjithashtu në një betejë ligjore me Prokurorin e Përgjithshëm për rrjedhje informacionesh në media.
Pse ndodhin përsëri e përsëri këto skandale në Spanjë?
Pjesërisht, për shkak të mungesës së rregullave të forta dhe mbikëqyrjes së pavarur që do të mund të mbanin politikanët përgjegjës. Kontrolli parlamentar është i dobët, standardet e transparencës të ulëta, dhe sanksionet për kompanitë e përfshira të pamjaftueshme. Organet mbikëqyrëse janë të pafuqishme ose të politizuara, ndërsa kodet etike janë të mjegullta ose nuk zbatohen fare. Kjo krijon terren të përshtatshëm për mosndëshkueshmëri.
Sánchez vazhdon të flasë për “rinovim demokratik”, por si paraardhësit e tij, nuk ka marrë masa reale për të krijuar trupa të pavarura mbikëqyrëse, për të rregulluar lobimin, për të forcuar transparencën apo për të mbrojtur sinjalizuesit. Edhe një regjistër bazë i lobistëve mungon ende.
Sánchez ka të drejtë kur thotë se jo të gjithë politikanët janë njësoj, por qeveria e tij, me shumicë të brishtë parlamentare, ka dështuar të realizojë reformat që do t’i bindnin qytetarët se jo të gjithë janë të korruptuar.
Ai ka shprehur shpesh shqetësime për dezinformimin dhe gazetarinë e dobët, një problem real në Spanjë ashtu si në shumë vende të tjera, por nuk ka përmbushur premtimin për të forcuar pavarësinë e transmetuesit publik. Madje, bordi mbikëqyrës është politizuar edhe më shumë.
Portali Civio, i specializuar në transparencë, ka çuar qeverinë në gjykatë për refuzimin për të zbuluar emrat e këshilltarëve politikë.
Këto mangësi u theksuan vetëm disa javë më parë nga Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO) i Këshillit të Europës, që kritikoi Spanjën për ritmin e ngadaltë në zbatimin e rekomandimeve të mëparshme, përfshirë kontrollin më të rreptë mbi “dyert rrotulluese” dhe financimin e partive.
As Partia Popullore nuk ka treguar ndonjë vullnet për të forcuar transparencën, ndoshta sepse sistemi ekzistues mund t’i shërbejë, nëse ajo rikthehet në pushtet.
Miriam González Durántez, themeluese e grupit qytetar España Mejor, që kërkon reforma, ka dërguar një projekt-kod etik në 400 institucione publike, pas një turi hulumtimesh nëpër Spanjë. Deri në mars, asnjë prej tyre nuk kishte pranuar ta adoptonte.
Nuk është çudi që besimi i publikut ka rënë drastikisht. Sondazhet tregojnë vazhdimisht se spanjollët janë ndër më skeptikët ndaj partive politike krahasuar me qytetarët e tjerë të demokracive evropiane. Sipas Raportit të Lajmeve Digjitale 2025 të Institutit Reuters, 57% e spanjollëve e konsiderojnë klasën politike si burimin kryesor të dezinformimit, 10 pikë mbi mesataren globale të 48 vendeve të anketuara.
Kjo zhgënjim i thellë minon pjesëmarrjen qytetare, ushqen apatinë dhe krijon terren për lëvizje populiste dhe autoritare.
Ndërsa PSOE përballet me krizën aktuale, pyetja e vjetër mbetet pa përgjigje: janë disa kokrra të prishura apo një kalbëzim i përgjithshëm? Por ndoshta kjo pyetje nuk ka më rëndësi për një publik kaq të zhgënjyer. Spanja nuk ka nevojë thjesht për dorëheqje apo shkarkime – por për reforma rrënjësore: mbikëqyrje të vërtetë të zyrtarëve publikë, rregulla të forta për financimin partiak, zbatim të rreptë të ligjeve dhe një ndryshim kulture drejt përgjegjshmërisë reale.
Përndryshe, ky nuk do të jetë skandali i fundit – vetëm ai i fundit përpara atij që vjen.
*María Ramírez është gazetare dhe zëvendësdrejtoreshë ekzekutive e elDiario.es, një media e pavarur spanjolle.
Burimi: Theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi