Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në platformën X u është përgjigjur deklaratave të deputetit britanik Nigel Farage.
Një ditë më parë deputeti britanik tha se 1 në 50 shqiptarë në Britani janë në burg.
Rama në statusin e tij shkruan se pretendimi i Farage për këto shifra është absurditet.
Më tej Rama e ka sfiduar Farage duke u zotuar se nëse këto shifra dalin të sakta do t’i kthejë të gjithë emigrantët në Shqipëri.
Në të kundërt, shkruan Rama, deputeti britanik do të marrë një ftesë për në Shqipëri dhe kur dikush të shajë shqiptarët përsëri të jetë ai i pari që t’i përgënjeshtrojë deklaratat.
Statusi i Ramës
Upsss… vetë z.Nigel Farage më sfidoi për faktet!
Çfarë nderi — për një “burrë gjigand”, siç më përshkroi ai (duke pasur parasysh, natyrisht, që vij nga një “vend i vogël”) — të tërheq vëmendjen e mjeshtrit të padiskutueshëm të politikës me tituj në Britani.
Ai tha — dhe po e citoj:
‘’Të them diçka, z. Rama: e di që një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg? Prandaj trego pak vullnet të mirë dhe merrini të gjithë mbrapsht nesër, sepse kjo është hipokrizi.”
Epo, z. Farage — më lejoni t’ju përgjigjem me diçka që s’është aq e zakonshme në stilin tuaj: shifra reale.
Pretendimi juaj se “një në 50 shqiptarë në Britani është në burg”Nuk është fakt. Është absurd. Një klasik i manualit post-Brexit: ‘’Nëse tingëllon frikshëm, atëherë duhet të jetë e vërtetë.’’
Por kur shikohen të dhënat reale — është një befasi! Edhe nëse do të supozonim se çdo shqiptar që ndodhet në burg është realisht fajtor (ndonëse shumë janë aty për shkak të një sistemi vizash të padrejtë dhe të vjetëruar), shkalla e kriminalitetit mes shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të ishte më e lartë se ajo e popullsisë britanike— madje ka shumë gjasa të jetë më e ulët.
Dhe meqë të dy duket se e vlerësojmë “vullnetin e mirë” dhe nuk e durojmë “hipokrizinë”, kam një propozim të thjeshtë për ju:
T’i sjellim të dyja palët faktet në tavolinë. Nëse pretendimi juaj “1 në 50” del i saktë — angazhohem publikisht t’i marr të gjithë mbrapsht. Jo për shoë, por zotohem publikishit.
Por nëse del që shifra juaj është thjesht karburant për tabloide, atëherë s’ka nevojë për ndjesë. S’ka nevojë për drama. Madje në vënd të kësaj do të merni një ftesë për të ardhur në Shqipëri — si i ftuar nderi.
Do të merrni diell të vërtetë, mikpritje të vërtetë, dhe fakte edhe më të vërteta — për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe gjithçka që do t’ju kërkoj në këmbim është një zotim i vogël, i thjeshtë: që herën tjetër kur dikush të përgojojë shqiptarët, të jeni ju i pari që t’i thoni, të ndalet.
Si thoni atëherë? Një verifikim faktesh për një deportim total — ose për një palë pushime, në mesin e njerëzve më të ngrohtë që do të njihni ndonjëherë.
Hajde, Nigel. Edhe nëse humb në kontrollin e fakteve, fiton një komb të tërë miqsh për gjithë jetën.
Pres me padurim përgjigjen tuaj./e.t