Gjermania ka nevojë urgjente për punëtorë migrantë – por s’do të ndihen të mirëpritur

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Friedrich Merz po përpiqet në mënyrë të pamatur të ringjallë një program të diskredituar të pasluftës: atë të “punëtorëve të ftuar”.

Chris Reiter dhe Will Wilkes

Qeveria e Friedrich Merz ka dërguar një mesazh të qartë për këdo që mendon të vijë për të jetuar në Gjermani: mos e bëj. Por mesazhi për ata që duan të vijnë për të punuar është tjetër: kemi nevojë për ju.

Kjo mund të duket si kundërthënie, por në fakt është një rikthim i logjikës që qëndronte pas programit të “Gastarbeiter” – punëtorëve të ftuar – gjatë bumit ekonomik të pasluftës. Midis viteve 1955 dhe 1973, Gjermania Perëndimore kërkoi të rindërtonte ekonominë e saj duke tërhequr fuqi punëtore, kryesisht nga Turqia, por edhe nga Italia, Portugalia dhe Jugosllavia. Megjithatë, kjo ndodhi pa marrë shumë parasysh nevojat njerëzore të atyre që po vinin.

Të përsëritet sot ai eksperiment – dhe tensionet sociale që ai krijoi – do të ishte edhe më keq.

“Wirtschaftswunder”, mrekullia ekonomike, nxiti një rritje të jashtëzakonshme dhe mungesë fuqie punëtore. Sot, ndonëse ekonomia gjermane është në recesion, vendi ka nevojë dëshpëruese për njerëz që të përmbushin nevojat bazë të shërbimeve publike. Mbi të gjitha, ka nevojë për punëtorë që të ndihmojnë në përballimin e barrës në rritje të pensioneve.

Duke pasur parasysh se Gjermania është kthyer në epiqendër të ndjeshmërisë së re evropiane ndaj emigracionit – pas reagimeve që shkaktoi politika e dyerve të hapura e Angela Merkel për refugjatët sirianë një dekadë më parë – ia vlen të vëzhgohet se si Berlini po e trajton këtë çështje. Deri tani, Merz po jep një shembull se si nuk duhet vepruar.

Nga njëra anë, kancelari konservator po ushqen narrativat e ekstremit të djathtë, sipas të cilave emigracioni përbën një kërcënim për vendin. Nga ana tjetër, ai flet si zë i botës së biznesit gjerman dhe lutet për më shumë punëtorë të huaj.

“Na duhen emigrantë të kualifikuar si motorë të përparimit”, deklaroi Merz këtë muaj, gjatë një ceremonie për nder të Özlem Türeci dhe Uğur Şahin – emigrantët turq që qëndrojnë pas krijimit të vaksinës së Covid-it nga kompania BioNTech. Ai shtoi se “ideologjitë anti-emigracion” nuk përbëjnë vetëm kërcënim për mirëqenien e Gjermanisë, “por edhe më keq: ngushtësia e tyre mendore kërcënon të ardhmen e rendit tonë liberal”.

Gjermania ka nevojë për një bashkues. Në Friedrich Merz po merr një kancelar që ka instinkt të përçajë.

Megjithatë, qeveria e tij ka dhënë pikërisht mesazhin që ai pretendon të dënojë. Gjermania ka vijuar me një politikë të re të refuzimit të azilkërkuesve në kufijtë e saj, pavarësisht një vendimi gjykate që e shpallte të paligjshme dhe në shkelje të ligjit të BE-së. Kjo politikë po zbatohet në një kohë kur numri i refugjatëve ka rënë ndjeshëm – deri në prill 2025, ai ishte pothuajse përgjysmuar në krahasim me vitin e kaluar.

Një tjetër shtyllë e strategjisë anti-emigracion të Merz është eliminimi i “natyralizimit të përshpejtuar”, që u lejonte të ardhurve të aplikonin për shtetësi gjermane pas vetëm tre vitesh në raste të veçanta. Justifikimi zyrtar është se kjo do të zhdukë një “faktor tërheqës” dhe do të ulë emigracionin e paligjshëm.

Por marrja e shtetësisë dhe kalimi ilegal i kufijve nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Kalimi i paligjshëm i kufirit mund të jetë akt dëshpërimi, ndonjëherë oportunizëm. Por për të marrë pasaportë gjermane nevojitet rezidencë ligjore, një sërë procedurash dhe dokumentacion i gjerë.

Edhe vetë procedura e përshpejtuar është shumë selektive dhe u rezervua për individë me “përpjekje të jashtëzakonshme integrimi”: njohje të avancuar të gjuhës gjermane, pagesë të rregullt taksash dhe pjesëmarrje aktive në komunitet, si p.sh. angazhimi në organizata bamirëse apo klube sportive.

Lexo edhe :  “Formula 5%” që Nato u kërkon qeverive/ Nga do vijnë paratë, si do shpenzohen?

Heqja e kësaj mundësie – e cila hyri në fuqi vetëm në qershor 2024 – nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh. Vitin e kaluar, sipas të dhënave të agjencisë shtetërore gjermane Destatis, vetëm rreth 7% e atyre që fituan shtetësinë e morën atë në mënyrë të përshpejtuar.

Por veprimet e Merz ushqejnë narrativën se Gjermania po “pushtohet” nga të huajt. Kjo ndihmon të djathtën ekstreme AfD – që renditet e dyta në sondazhe – e cila kërkon deportimin e mijëra personave, përfshirë disa që kanë prejardhje migrante por edhe shtetësi gjermane.

Kontrolli i hyrjes në vend është legjitim, por politika të tilla demonstrative forcojnë ndjenjat ksenofobike dhe nuk zbusin aspak frikën e qytetarëve të pasigurt. Për më tepër, përfitimet politike janë të kufizuara.

Ndërsa emigracioni vazhdon të dominojë debatet publike, vetëm 38% e gjermanëve e konsiderojnë atë si një nga tri shqetësimet kryesore – katër pikë më pak se në prill, sipas një sondazhi të Ipsos. Problemet ekonomike, si inflacioni dhe pabarazia sociale, janë në krye të listës së shqetësimeve.

E vërteta më e vështirë për t’u pranuar është kjo: Gjermania ka nevojë për ndihmë, dhe sa më shumë, aq më mirë. Me miliona gjermanë që do të dalin në pension gjatë dekadës së ardhshme, vendi duhet të mirëpresë rreth 400,000 migrantë neto çdo vit për të ruajtur ekuilibrin dhe për të mbuluar kostot në rritje të sistemit të pensioneve.

Por kjo nuk është më epoka e pasluftës, kur Gjermania mund të nënshkruante marrëveshje me vende më të varfra dhe të priste mijëra punëtorë. Sot ka konkurrencë globale për punëtorët e kualifikuar, dhe Gjermania ka disavantazh për shkak të gjuhës dhe reputacionit të saj si vend i ftohtë dhe jo mikpritës.

Ky është trashëgimi e programit të dikurshëm “Gastarbeiter”, kur Gjermania nuk kishte as plan për të integruar ata që i thërriste për punë, dhe as dëshirë për ta bërë këtë. Po ashtu, lidhet me një identitet kombëtar të ngushtë dhe ende të paformuar plotësisht, si pasojë e historisë naziste.

Ish-futbollisti Mesut Özil, i lindur në vitin 1988 nga një familje turke punëtorësh në zonën e Ruhrit, kurrë nuk u ndje vërtet i pranuar. Edhe pse luajti rol kyç në fitoren e Gjermanisë në Kupën e Botës 2014, ai tha: “Kur fitojmë, jam gjerman; kur humbasim, jam i huaj.”

Historia e tij tregon sa e paarritshme është ndjesia e përkatësisë për shumë vetë. Dhe kjo nuk është përjashtim. Sipas një studimi të Fondacionit Friedrich Ebert, midis viteve 2015 dhe 2022, në Gjermani emigruan 12 milionë njerëz. Por më shumë se 7 milionë prej tyre janë larguar sërish. Arsyeja kryesore? Vështirësia për t’u ndjerë pjesë e shoqërisë gjermane.

Goditja e radhës mund të jetë pranë. Sipas Institutit gjerman për Kërkime të Punësimit, rreth çdo i katërti migrant – afro 2.6 milionë persona – po shqyrton mundësinë të largohet nga vendi.

Nëse nuk adresohet me urgjencë, kjo vetë-izolim do të çojë në gërryerjen graduale të fuqisë punëtore së Gjermanisë. Rishikimi i narrativës mbi emigracionin dhe paraqitja e tij si pjesë e zgjidhjes do të ishte një pikënisje e mirë.

Por klasa politike nuk duket e gatshme për këtë hap. Siç tha së fundmi Markus Söder, kryeministër konservator i Bavarisë, për mediat e djathta NiUS:

“Sigurisht që kemi nevojë për emigracion – për fat të keq.”

Përgatiti për botim: L. Veizi

Të fundit

Ulet niveli në liqenin e Fierzës, ndikon mungesa e reshjeve dhe temperaturat

Aktualisht, niveli i ujit në Liqenin e Fierzës ka rënë në 279 metra mbi nivelin e detit, ndërsa prurjet...

“Globe”, teatri në Londër që u dogj si Feniksi dhe u rindërtua pas nje viti

29 Qershor 1613 Nga Leonard Veizi Ka ndërtesa që i përkasin qytetit ku janë ngritur, dhe ka të tjera që u përkasin shekujve. Ka skena që...

Ish-këshilltari i Trump: Bota po bëhet kërcënuese, boshti Kinë-Rusi është fuqizuar

John Bolton, ish këshilltari i presidentit amerikan Donald Trump paralajmëroi se bota po bëhet më e rrezikshme, ndërsa boshti Rusi-Kinë po fuqizohet. Në intervistën...

Bardhi kundër largimit të Berishës si kryetar: Nuk duhet zgjidhje mekanike

Gazment Bardhi është kundër largimit të Sali Berishës nga kryesimi i Partisë Demokratike. N ë një intervistë për emisionin Skedari Politik nga Ervin Koçi në...

1913 – Fillon Lufta e Dytë Ballkanike

Në vitin 1912, katër shtetet ballkanike — Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi — formuan Lidhjen Ballkanike me qëllim të përbashkët: t’i nxirrnin...

Lajme të tjera

Web TV