Më 1 korrik 1555, admiralit legjendar osman Turgut Reis, një nga komandantët më të famshëm të flotës së Perandorisë Osmane dhe një figurë e frikshme për flotat evropiane, sulmon qytetin bregdetar Paola, në rajonin e Kozencës, në Kalabri, Itali jugore.
Ky sulm ishte pjesë e një fushate më të gjerë detare osmane, që synonte të minonte ndikimin spanjoll dhe italian në Detin Mesdhe. Paola, një qytet i vogël, por me rëndësi strategjike, u grabit dhe u dogj nga forcat osmane. Shumë banorë u vranë ose u morën si robër. Kishat e qytetit, përfshirë dhe ato kushtuar shenjtorit të njohur Shën Françesku i Paolës, pësuan dëme të mëdha.
Pas këtij sulmi, Turgut Reis (i njohur edhe si Dragut) vazhdoi ofensivën e tij detare përgjatë bregut perëndimor të Italisë, duke terrorizuar qytete si Amantea, Capo Vaticano, Tropea, Terracina, Gaeta, Napoli, Civitavecchia, dhe deri në San Remo, në Liguri. Ai grabiti qytete, dogji ndërtesa, shkatërroi fortifikata dhe mori robër për t’i shitur si skllevër.
Kjo fushatë solli panik në gjithë Gadishullin Apenin, ndërsa shumë qytete bregdetare filluan të fortifikoheshin dhe të kërkonin ndihmë nga fuqitë perëndimore.
Pasi përfundoi sulmet, Turgut Reis u kthye në Stamboll, ku u prit me lavdi. Për sukseset e tij ushtarake dhe besnikërinë ndaj Perandorisë, Sulltan Sulejmani i Madhërishëm i dha titullin “Pasha”, duke e bërë kështu një nga figurat më të fuqishme të flotës osmane.
Kjo ngjarje është një shembull domethënës i fuqisë detare osmane në shekullin XVI dhe i ndikimit të saj në politikën mesdhetare të kohës, ndërkohë që Evropa ishte e ndarë mes fuqive që luftonin për hegjemoni. Emri i Turgut Reis mbeti simbol i frikës në brigjet italiane, spanjolle dhe malteze për dekada me radhë.
Përgatiti: L.Veizi