4 korrik 1918
Nga Leonard Veizi
Në agimin e një dite korriku të vitit 1918, ndërsa nata mbante ende frymën pezull mbi Ural, një heshtje e rëndë, thuajse biblike, kishte pllakosur muret e shtëpisë Ipatiev në Yekaterinburg. Atje, në bodrumin e ftohtë dhe pa dritë, historia përgatitej të mbyllte një epokë me një krismë. Familja perandorake e Rusisë — Car Nikolla II, perandoresha Aleksandra dhe pesë fëmijët e tyre — nuk ishin më as hijet e një oborri mbretëror, por shëmbëlltyra njerëzore të një perëndie të rënë. Ata nuk u pushkatuan vetëm si armiq politikë: ata u zhdukën si simbole të një bote që duhej të fshihej nga kujtesa, si një rit i errët për të shpallur lindjen e një epoke të re, ku kurorat prej ari i zëvendësonte hekuri i revolucionit.
Ngjarja
Më 4 korrik 1918 – apo në 17 korrik sipas kalendarit Julian, – Car Nikolla II i Rusisë, gruaja e tij Aleksandra, pesë fëmijët e tyre – Olga, Tatiana, Maria, Anastasia dhe Aleksei – si dhe disa nga shërbyesit më besnikë, u ekzekutuan mizorisht nga bolshevikët në bodrumin e shtëpisë Ipatiev në qytetin Yekaterinburg. Ekzekutimi u krye nga një skuadër pushkatimi e udhëhequr nga Jakov Yurovski, me një urdhër të dhënë nga autoritetet lokale bolshevike, por besohet gjerësisht se ai kishte miratimin e lartë politik nga vetë Vladimir Lenini dhe qeveria komuniste në Kremlin.
Trupat e carit dhe familjes së tij u fshehën në mënyrë sekrete, të djegura pjesërisht dhe të groposura në pyllin afër.
Kjo ngjarje shënoi fundin e dinastisë tre shekullore Romanov, që kishte sunduar Rusinë që nga viti 1613. Edhe pse Car Nikolla kishte hequr dorë nga froni që në mars 1917 pas revolucionit të shkurtit, familja mbretërore ishte mbajtur fillimisht në arrest shtëpiak dhe më pas ishte zhvendosur në Siberi dhe në fund në Yekaterinburg. Ndërsa Lufta Civile Ruse po përshkallëzohej, frika se familja do të shpëtohej nga forcat e Bardha (antikomuniste) bëri që bolshevikët të vendosnin eleminimin fizik të tyre.
Legjenda
Ndërkohë, pas asaj nate të përgjakshme në bodrumin e shtëpisë Ipatiev, kur krismat u shuan dhe heshtja mbuloi trupat e familjes Romanov, një legjendë nisi të merrte frymë në hijet e historisë: Anastasija, vajza e vogël e carit, thuhej se kishte shpëtuar nga ekzekutimi. Sipas kësaj teorie konspirative, ajo kishte mbijetuar në mënyrë të mistershme, ndoshta e ndihmuar nga një roje mëshirues apo falë ndonjë loje fatale të plumbave që nuk e kishin prekur.
Kjo ide, e nxitur nga dëshmitë kontradiktore dhe kaosi që pasoi masakrën, u kthye në mit modern që magjepsi botën për dekada. Gra të ndryshme u paraqitën si Anastasija e mbijetuar, më e njohura ndër to Anna Anderson, që për vite me radhë pretendoi identitetin e princeshës së humbur. Megjithëse testet e ADN-së në fund e rrëzuan këtë pretendim, historia e Anastasias së mbijetuar nuk vdiq kurrë, sepse ajo kishte hyrë në mitologjinë popullore.
Kjo mitologji mori trajtë të përjetshme kur Walt Disney (në fakt studioja rivale 20th Century Fox, më pas e blerë nga Disney), në vitin 1997, solli në ekranin e madh filmin e animuar “Anastasia”, një përrallë muzikore që kombinonte nostalgjinë cariste me fantazinë hollivudiane. Princesha e humbur, në këtë version të magjepsur, nuk ishte më thjesht një viktimë e historisë, por një heroine që rikuperonte identitetin dhe kujtimin, si një ëndërr e padukshme që refuzon të shuhet. Dhe kështu, në kujtesën e botës, Anastasija mbeti e pavrarë – të paktën në shpirt.
Rehabilitimi
Vetëm në vitin 1991, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, u zbulua vendndodhja e mbetjeve mortore, të cilat më pas iu nënshtruan analizave të ADN-së dhe u rivarrosën me nderime shtetërore në Shën Petersburg më 1998, 80 vjet pas vrasjes. Kisha Ortodokse Ruse e ka shpallur familjen Romanov martirë dhe shenjtorë, duke e kthyer këtë ngjarje në një simbol të errët të historisë ruse dhe të brutalitetit të revolucionit.