Bullgarët, skeptikë për anëtarësimin në Eurozonë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Bullgaria po përgatitet të kalojë në përdorimin e Euros si monedhë zyrtare, por një pjesë e madhe e qytetarëve nuk janë dakord me këtë hap.

Ndërsa qeveria e konsideron anëtarësimin në Eurozonë si përparësi, shumë qytetarë mbeten skeptikë ndaj këtij vendimi, duke shprehur frikën për rritjen e çmimeve dhe humbjen e sovranitetit monetar.

Kryeministri Rosen Zhelyazkov e sheh anëtarësimin në Eurozonë si një hap të rëndësishëm drejt një stabiliteti dhe zhvillimi më të madh ekonomik.

Megjithatë, opozita ndaj këtij procesi po rritet, e ushqyer nga forcat nacionaliste, që paralajmërojnë pasoja negative. Sipas një sondazhi të fundit në të gjithë Bashkimin Europian (BE), rreth gjysma e bullgarëve janë kundër përdorimit të Euros si monedhë zyrtare.

Protestat tashmë kanë shpërthyer, të nxitura nga frika se kalimi në një monedhë të re do të shkaktojë rritje të çmimeve dhe do të dobësojë kontrollin kombëtar.

Valentin Tataru, ekonomist në ING, shpjegon se njerëzit shqetësohen kryesisht për rritjen e mundshme të kostos së jetesës gjatë periudhës së tranzicionit, pasi disa biznese mund të përfitojnë nga ndryshimi për të rrumbullakosur çmimet në mënyrë të padrejtë.

Kjo është veçanërisht shqetësuese për banorët e zonave më të varfra dhe rurale. Megjithatë, Tataru thekson se kursi fiks i këmbimit që Bullgaria ka me Euron duhet të zbusë ndikimin inflacionist, duke parandaluar luhatje të forta të çmimeve.

Një tjetër shqetësim i përmendur shpesh është humbja e perceptuar e sovranitetit. Leva, monedha zyrtare e Bullgarisë për shumëkënd përfaqëson një simbol të pavarësisë kombëtare.

Heqja dorë nga ajo, paralajmëron Andrius Tursa, këshilltar për Europën Qendrore dhe Lindore pranë kompanisë Teneo, mund të jetë një çështje e ndjeshme si politikisht, ashtu edhe emocionalisht për shumë bullgarë.

Ai shton se anëtarësimi në Eurozonë do të thotë, që Bullgaria do të dorëzojë një pjesë të kontrollit mbi politikën monetare, pasi vendimet do të kalojnë në duart e Bankës Qendrore Europiane (BQE).

Ndërkohë, si Tursa ashtu edhe Jasmine Gröschel, ekonomiste e lartë në Allianz, theksojnë përfitimet që sjell anëtarësimi.

Tursa shpjegon se vendet anëtare të Eurozonës përfitojnë norma më të ulëta interesi falë besueshmërisë së BQE-së, gjë që e bën huamarrjen më të lirë për individët dhe bizneset.

Lexo edhe :  Përmbyset kamioni, shkakton “lumë qumështi” në rrugët e New Yorkut

Gröschel shton se mbikëqyrja nga BQE mund të rrisë qëndrueshmërinë ekonomike dhe potencialin për rritje afatgjatë.

Pritet gjithashtu, që investimet e huaja të rriten ndërsa Bullgaria thellon integrimin në Eurozonë. Sipas Gröschel, integrimi më i thellë financiar dhe mbikëqyrja nga BQE-ja do të forcojnë sistemin financiar dhe do të sjellin më shumë stabilitet monetar.

Në vlerësimin e saj, përdorimi i Euros jo vetëm që do të forcojë pozitën e Bullgarisë brenda BE-së, por gjithashtu do të rrisë besueshmërinë e vendit në arenën ndërkombëtare.

Tursa gjithashtu vë në dukje se Euro do të ndihmojë në uljen e kostove dhe barrierave, që lidhen me këmbimet valutore – një zhvillim që mund të sjellë përfitime të veçanta për tregtinë dhe turizmin.

Meqenëse Bashkimi Europian është tashmë partneri kryesor tregtar i Bullgarisë, anëtarësimi në Eurozonë do të thjeshtojë transaksionet dhe do të përmirësojë efikasitetin në të gjithë sektorët.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme, duke pasur parasysh përfshirjen e ngushtë të Bullgarisë në zinxhirët europianë të furnizimit.

Megjithatë, rreziqet politike mbeten të pranishme. Tursa paralajmëron se pakënaqësia e publikut ndaj Euros mund të nxisë më shumë mbështetje për partitë populiste dhe euroskeptike.

Protestat e deritanishme tregojnë se kjo është një çështje me ngarkesë të fortë emocionale, e cila mund të shndërrohet në faktor përçarës në skenën politike të vendit.

Ekonomistë si Gröschel besojnë se përfitimet afatgjata që sjell anëtarësimi në Eurozonë i tejkalojnë disavantazhet.

Edhe pse Bullgaria do të humbasë një pjesë të autonomisë ekonomike dhe do të përballet me rregulla fiskale më të rrepta, ajo argumenton se përfitimet – si qëndrueshmëria më e madhe financiare, kostot më të ulëta të transaksioneve dhe lidhja më e fortë me tregjet e BE-së – e bëjnë këtë tranzicion të vlefshëm.

Tataru nga ING ndan të njëjtin mendim, duke vënë në dukje se lidhja e gjatë që ka pasur Leva me Euron tregon se ky kalim do të jetë relativisht i lehtë./E.T

Të fundit

Të shtëna me armë zjarri në Sarandë! Raportohen dy të plagosur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në lagjen nr. 4 të Sarandës, pranë stadiumit të qytetit,...

Partizanit i duhet mbështetja e tifozëve, zbulohet numri i biletave të shitura

Partizani do të përballet sot me Kaljun në “Air Albania” prej orës 20:00. Kjo ndeshje është e vlefshme për turin e parë të Ligës...

Fluks pasagjerësh në Rinas/ Krasniqi: Ky sezon turistik, ndër më të suksesshmit

Eksperti i turizmit, Isa Krasniqi thotë se ky sezon turistik, mund të konsiderohet nga më të sukesshmit. Në një intervistë për “Money Report” në ABC...

Zjarret në vend/ Mbi 90% janë të shkaktuara nga dora e njeriut, zonat më të rrezikuara

Vatrat më problematike në vend në 24 orët e fundit janë në Dibër, Bulqizë, Mallakastër dhe Vaun e Dejës. Në një intervistë për “Sot...

Ndihmë për e-Albania nëpër bashki/ Balluku monitoron sportelet ku ofrohet shërbimi

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku monitori nga afër sportelet në të cilat do të ofrohet shërbimi falas për të gjithë qytetarët, të cilët që kanë vështirësi...

Lajme të tjera

Web TV