Duke zbritur përgjatë krahut jugperëndimor të vendit, nga qyteti i Vlorës në veri deri në fshatin Ksamil, Riviera shqiptare është shpallur si Maldivet e Europës.
Është e vërtetë që plazhet e panumërta me rërë të bardhë janë të shpërndara përgjatë një bregdeti me ujëra të kaltër vezullues, nga segmentet e mbipopulluara që mbështeten nga resorte moderne deri te gjiret e izoluara. Por Riviera është më shumë sesa thjesht deti; ka fshatra tradicionale të ngjitur në shpatet e kodrave të mbuluara me ullinj shekullorë, dhe rrënoja të lashta pranë mbetjeve të së kaluarës komuniste të vendit.
Të arriturit në këtë zonë tani është më e lehtë se kurrë më parë falë një numri gjithnjë në rritje të fluturimeve direkte që lidhin Mbretërinë e Bashkuar me kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, që ndodhet vetëm dy orë me makinë nga Vlora. Më pas mund të udhëtoni drejt jugut përgjatë SH8, rruga kryesore bregdetare e Rivierës, duke e mbajtur Detin Jon shkëlqyeshëm në periferi të shikimit pothuajse gjatë gjithë rrugës. Pikat kryesore të rajonit mund të eksplorohen brenda një fundjave, por qëndroni më gjatë për të zbuluar më shumë nga thesaret e tij arkeologjike dhe për të kaluar pasdite të qeta në plazhet më pak të njohura të tij. m.p.