Të paktën 50 persona humbën jetën pas përmbytjeve të rënda që goditën shtetin jugor amerikan të Texas, konfirmuan autoritetet, me disa fëmijë ende të zhdukur nga një kamp veror në qarkun Kerr, në veriperëndim të San Antonios.
”Në të gjithë shtetin, të paktën 50 persona humbën jetën në lidhje me përmbytjet që goditën shtetin të premten në mëngjes”, raportuan mediat amerikane.
“Kemi gjetur 43 individë të vdekur në qarkun Kerr”, tha sherifi Larry Leitha në një konferencë për shtyp, dje në mbrëmje.
“Midis këtyre, që kanë vdekur, kemi 28 të rritur dhe 15 fëmijë”, tha sherifi, duke shtuar se mbetjet e 17 personave janë në pritje të identifikimit.
Menaxheri i qytetit të Kerrville, Dalton Rice, tha se 27 fëmijë nga një kamp veror ishin ende të zhdukur.
“Kemi shpëtuar qindra njerëz nga këto kampe gjatë gjithë ditës”, tha Rice në konferencën për shtyp.
Kampi veror i krishterë për vajza, i vendosur pranë lumit Guadalupe, po akomodonte më shumë se 750 fëmijë kur përmbytjet goditën pas reshjeve të dendura të shiut herët të premten.
”Lumi u rrit me gati 8,0 metra në një kohë shumë të shkurtër në orët e para të mëngjesit”, tha zëvendësguvernatori i Teksasit, Dan Patrick.
Media amerikane raportoi se të paktën shtatë të tjerë vdiqën në lidhje me përmbytjet në shtet.
Shkalla e plotë e katastrofës mbeti e paqartë më shumë se 36 orë pasi filluan përmbytjet.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott e ka quajtur atë “një katastrofë të jashtëzakonshme”.
Në një postim në platformën e tij Truth Social të shtunën, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ai dhe gruaja e tij Melania “po luteshin për të gjitha familjet e prekura nga kjo tragjedi e tmerrshme”.
“Administrata Trump po punon me zyrtarët shtetërorë dhe vendorë në terren në Teksas në përgjigje të përmbytjeve tragjike”, shkroi ai./kb