Tregtarët e Zdrales në Shkodër protestuan sot përpara Bashkisë, pas një njoftimi zyrtar nga Komuniteti Mysliman që u kërkon të lirojnë tregun brenda dy muajsh. Jane me shume se 200 tregtare qe prej më shumë se 30 vitesh ushtrojnë aktivitetin tregtar ne Zdrale dhe tashme do mbeten pa pune.
“Po na nxjerrin në rrugë. Komuniteti Mysliman duhet të jetë bamirës, s’mund të na lërë pa bukë”, tha një protestues.
Pronari i truallit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, ka lajmëruar se në vendin e tregut do të ndërtohet një kompleks pallatesh, bazuar në një leje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Investimi do të kryhet nga biznesmeni Alban Xhaferri, njëherazi president i klubit të futbollit Vllaznia. Edhe pse lejen nuk e ka dhene bashkia e Shkodres, serish tregtarët kërkojnë ndërhyrjen e saj, pasi ndihen të pambrojtur.
Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Rudin Beka, gjatë takimit u shpreh se “Bashkia është një hallkë e tretë në këtë proces, pasi vendimmarrja për zhvillimin e kësaj prone i takon Komunitetit Mysliman si pronar i ligjshëm dhe Këshillit Kombëtar të Territorit, i cili ka miratuar planin e zhvillimit”.
Ndërsa një protestuese tha se nuk kanë mundësi të blejnë njësi shërbimi në hapësirat e reja tregtare që do të ndërtohen ndaj kerkojne të mos largohen nga territori ku kanë punuar me vite.
“Do bëhen pallate dhe dy katet e para do jenë dyqane. Bëhet fjalë për 5 mijë euro metri/katror. Ne nuk jena tu shit drogë por rroba. Ne jemi në kushtet e mbijetesës, duhet të na gjëjnë vend për të ushtruar aktivitetin tonë”, tha ajo.
Pas takimit në Bashki, protestuesit janë zhvendosur në Myftininë e Shkodrës, ku kane zhvilluar nje takim me dyert te mbyllura, pa pranine e medias. Në dalje u shprehën se nuk është ofruar asnjë zgjidhje reale, përveç një shtyrjeje të mundshme të afatit me vetëm një muaj. Tregtarët thonë se nuk do të tërhiqen dhe paralajmërojnë vijimin e protestave, derisa të gjejnë një zgjidhje.
“Do ta bëjmë problem do shkojmë deri tek kryeministri” tha një tjeter protestues. m.p.