Këshilltari bashkiak i Tiranës, Endri Shabani këmbëngul në thirrjen e tij që kryebashkiaku Erion Veliaj të shkarkohet nga detyra dhe të hapet rruga për zgjedhjen e drejtuesit të ri të kryeqytetit.
Nisur nga vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë, e cila vulosi përfundimisht qëndrimin e tij prapa hekurave deri në përfundim të hetimeve, Shabani thotë se Erion Veliaj nuk mund të mbajë peng dhe karrigen e kryetarit.
“Sot u shua edhe shpresa e fundit e Erion Veliajt. Gjykata e Lartë rrëzoi përfundimisht çdo përpjekje për ta liruar nga burgu. Tani është e qartë që Veliaj do të mbetet në burg. Por ne nuk mund të lejojmë që ai të marrë me vete në burg edhe karriken e kryetarit të bashkisë.
Këshilli Bashkiak Tiranë ka detyrimin ligjor të miratojë kërkesën time për shkarkimin e tij. Ligji na e kërkon. Ndërgjegjja e kërkon. Tirana e kërkon. Sa më shpejtë ta shkarkojmë, aq më shpejt Tirana do të ketë një kryetar legjitim”, shkruan Endri Shabani. m.p.