Ndërhyrjet në Lungomare, të kërkuara nga Kryeministri Edi Rama, kanë nxitur pakënaqësitë e parë tek pronarët e bareve dhe restoranteve.
Ata janë kundër ndërhyrjes në kulmin e sezonit turistik, pasi sipas tyre, kjo mund të ndikojë në largimin e turistëve, raporton Report TV.
Pronari i një prej bizneseve në zonën e Lungomares, në një deklaratë për mediat, e cilësoi këtë vendim si “shkatërrues”, sidomos për faktin që po zbatohet në kulmin e sezonit turistik. Ai u shpreh se, në shenjë proteste, shumë prej operatorëve ekonomikë kanë vendosur të mbyllin bizneset përkohësisht.
“Është një goditje ekonomike e rëndë. Situata nuk është krijuar brenda natës, kryeministri ka qenë shpesh këtu, ka ngrënë, ka pirë. Kjo ndërhyrje mund dhe duhej të ishte bërë përpara ose pas sezonit veror. Tani është vonë. Ky është një dëm i drejtpërdrejtë për turizmin dhe për ne si sipërmarrës,” – tha ai.
Ai shtoi se niveli i turistëve këtë verë nuk është ai i pritshmi dhe kjo situatë e vështirë po përkeqësohet edhe më tej nga aksioni i qeverisë.
“Turizmi sivjet është në rënie. Shtuar dhe prishjet, kostoja bëhet e papërballueshme. Nuk e pranojmë këtë situatë. Po shkojmë drejt mbylljes. Jemi gati për dialog, por jo për vendime të tilla të njëanshme gjatë verës”, përfundoi ai.
Bizneset kërkojnë që çdo ndërhyrje të bëhet në mënyrë të organizuar dhe jashtë sezonit, në mënyrë që të mos cenohet aktiviteti turistik dhe ekonomia vendase. m.p.