Vendosja e rregullave të reja nga Banka e Shqipërisë prej datës 1 korrik për marrjen e një kredie, do të ndikojë në shitjen dhe blerjen e një prone. Bankat nuk mund të financojnë më shumë se 85% të vlerës së blerjes së shtëpisë së parë dhe 80% të blerjes së shtëpisë së dytë. Në rast se kredia është në valutë, niveli tavan i financimit ulet në 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.
“Nuk besoj se do të ketë një ndryshim në çmim, më shumë sesa në fluksin e klientëve blerës.Tashmë do të duhet një kapital më i madh fillestar për blerjen e një apartamenti, ose më shumë kursime. Ndryshim çmimi nuk do të kemi, por pritet një zbehje e shitjeve, ose një ndalim i tyre”, tha Valeria Dushku, agjente imobiliare.
Analizat e Bankës së Shqipërisë dhe agjencive tregojnë se rreth 50 % të shitjeve të pronës (banesore dhe tregtare) u financuan me kredi gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024.
“Janë shumica e klientëve, flasim për segmentin e mesëm të tregut të blerësve. Nëse më parë kemi pasur shumë klientë që financonin 90%-100% të blerjes me kredi bankare, tani do të ndeshemi me 85% për blerjen e parë dhe 80% për të dytën. Zonat elitare nuk do të kenë asnjë lloj ndikimi, sepse aty janë klientë që kanë financa më të sigurta”, shtoi Valeria Dushku.
Sa i përket çmimeve të apartamenteve, ekspertët thonë se tregu ka gjetur një stabiltet, duke mos pasur prej disa kohësh tashmë ulje të tyre apo dhe rritje. m.p.