PSG fitoi 4-0 ndaj Real Madrid në gjysmëfinalen e Botërorit të klubeve në SHBA. Në finale e pret Chelsea, në një stadium ku do jetë i pranishëm edhe Donald Trump.
Francezët e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme supersfidën duke shënuar 2 herë brenda 8 minutash. Fillimisht, në minutën e 6-të ishte Fabian Ruiz, që dërgoi topin në rrjetë, duke përfituar nga një gafë fatale e Raul Asencio-s.
Dy minuta më pas, ishte radha e Antonio Rudiger për të gabuar, duke humbur topin, të cilin e merr Ousmane Dembele dhe e dërgon në rrjetë. Parisienët nuk u mjaftuan me kaq, në minutën e 23-të, pas një kundërsulmi të shpejtë, i zakonshmi Achraf Hakimi asiston bukur për Fabian Ruiz, spanjolli dërgon topin në rrjetë. Goli i dytë i mesfushorit spanjoll në sfidën e sotme dhe i treti për PSG-në. Pjesa e parë mbyllet 3-0 për PSG-në.
Ndryshe nga pjesa e parë, 45 minutat e dyta ishin më të qeta dhe tashmë të dy ekipet e kishin pranuar rezultatin. As zëvendësimet që bëri Xabi Alonso nuk sollën ndryshim të lojës apo rezultatit. Në minutën e 87-të, sërish pas një aksioni të shpejtë dhe pasi Bradley Barcola tallet me mbrojtjen madrilene asiston për Goncalo Ramos, i cili dërgon topin në rrjetë dhe feston njësoj siç bënte i ndjeri Diego Jota. Ndeshje e shkëlqyer nga djemtë e Luis Enrique! m.p.