Franco Nero, në “Roma Elastica” – një homazh për Fellinin

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

I veshur me një kapelë dhe shall që i përkasin stilit të vetë Federico Fellinit, Franco Nero sapo ka përfunduar një rol të shkurtër në Cinecittà, në filmin “Roma Elastica” të regjisorit vizionar francez Bertrand Mandico – një homazh për mjeshtrat e mëdhenj të kinemasë italiane.

“Pata kënaqësinë të luaja përkrah të mrekullueshmes Marion Cotillard,” – rrëfeu aktori në Festivalin Global të Filmit dhe Muzikës në Ischia, një ngjarje që e ka mbështetur prej 23 vitesh së bashku me themeluesin Pascal Vicedomini dhe Accademia Internazionale Arte Ischia.

“Mandico kishte parë shumë nga filmat e mi. Është një fans i vërtetë dhe donte që të luaja një regjisor që mund të ishte vetë Fellini. ‘Ti je aktori i ëndrrave të mia’, më shkroi ai pas xhirimeve në një mesazh tepër të ndjerë. ‘Shpresoj të punojmë sërish bashkë, këtë herë për më gjatë’. Dhe të mendosh që unë nuk isha krejtësisht i bindur për interpretimin tim…”

“Roma Elastica” – një bashkëprodhim franko-italian – zhvillohet në Romën e viteve ’80, ku një aktore me famë ndërkombëtare përgatitet të dalë për herë të fundit në një set xhirimi.

Sot 83 vjeç, Franco Nero, me mbi 200 filma në karrierën e tij, vijon të alternojë projekte të guximshme me role homazh që i kushtohen ikonave të kinemasë. Midis tyre përmendet edhe dokumentari “The Last One”, si dhe ylli i sapo shtuar në Hollywood Walk of Fame, një vlerësim që i është dhënë vetëm një grupi të vogël artistësh italianë, përfshirë Sophia Loren, Andrea Bocelli dhe Ennio Morricone. “Jam i lumtur për këtë njohje. Amerikanët kanë ditur të çmojnë talentet tona. Njeriu jeton e punon për këto çaste. Kohët e fundit, jam emëruar Senator i Kulturës Evropiane dhe kam marrë çmime për karrierën time në Pragë dhe Budapest, ku edhe Viktor Orbán më priti me nderime.”

Lexo edhe :  “Jaws” mbush 50 vjeç – një dokumentar rrëfen historinë pas kulisave

Viti i ardhshëm do të shënojë 60-vjetorin e debutimit të tij në kinematografi: në vitin 1966, John Huston e angazhoi në “The Bible”, pasuar nga roli ikonik në “Django” të Sergio Corbucci-t dhe takimi magjik me Vanessa Redgrave në xhirimet e “Camelot”.

“Jam me fat. Sot mund të zgjedh çfarë dua të bëj dhe më pëlqen të ndihmoj të rinjtë. Kam mundësi të punoj në të gjithë botën – nga Gjermania në Australi. Ndoshta më mungonte vetëm një rol: së fundmi kam luajtur Zotin në një film të shkurtër dhe Papa Klementin VII në një tjetër! Dhe gjithmonë kam ëndërruar të jem dirigjent orkestre – dhe arrita ta realizoj këtë ëndërr në një film të xhiruar në Kubë, me anëtarë të rinj të korit.”

Po për kinemanë italiane?
“E admiroj shumë Matteo Garrone-n – një talent i rrallë, me aftësinë për të kaluar natyrshëm nga një zhanër në tjetrin. Për mua ai është ‘Elio Petri i kohëve moderne’. Filmi i tij ‘Io Capitano’ është një vepër e jashtëzakonshme. Isha i angazhuar edhe për një projekt mbi emigracionin në Hungari, për historinë e një vajze afrikane që pret një fëmijë, por për momentin gjithçka është pezulluar. Kam frikë se është anuluar.”

Ndërkohë, Festivali Global i Ischia-s për vitin 2025 fokusohet gjithnjë e më shumë në temat e solidaritetit dhe dialogut mes popujve, për të promovuar paqen.

“Është e vështirë të besosh se si kinemaja apo arti mund të ndryshojnë realitetin e tmerrshëm në të cilin po jetojmë. Ndihem i pafuqishëm. Shpesh zgjohem në mëngjes duke menduar për mijëra fëmijë që kanë humbur jetën në Gaza… dhe qaj.”

 

Përgatiti: L.Veizi

Të fundit

Mirror: Shqipëria një perle evropiane, me qytete me kalldrëm dhe plazhe mahnitëse

Lauren Haughey, gazetare e “Mirror”, e përshkruan Shqipërinë si “vendin më të habitshëm ku kemi qenë ndonjëherë”, në një...

Parashikimi i motit për ditën e sotme, sa do të shkojnë temperaturat

Këtë të premte, në Shqipëri vijon depërtimi i masave ajrore të nxehta nga Afrika drejt rajonit të Ballkanit, duke sjellë edhe në vendin tonë...

1536 – Shkëputja e Anglisë nga Kisha e Romës

Një histori që përfundon me shpalljen e pavlefshmërisë së urdhëresave anglikane nga Papa Leo XIII Ngjarja e vitit 1536, e njohur si fillesa formale e...

Sulmi ndaj kishës në Gazë, Trump telefonon Netanjahun. Izraeli: Ishte gabimi ynë!

Presidenti amerikan Donald Trump ka telefonuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu pas sulmeve izraelite brenda një kishe katolike në qytetin e Gazës, ku mbetën të...

Rrezik për sulme ndaj kabllove nënujore të internetit, të mbështetura nga Rusia dhe Kina

Rreziku për sulme të mbështetura nga Rusia dhe Kina ndaj kabllove nënujore që mbajnë trafikun global të internetit pritet të rritet, paralajmëron një raport...

Lajme të tjera

Web TV