Një zbulim i pazakontë nga astronomët po ngjall interes në komunitetin shkencor: një njollë misterioze është vërejtur në atmosferën e Saturnit, çka mund të tregojë një përplasje të një objekti të panjohur me planetin e gjashtë të sistemit diellor.
Pamjet e kapura nga Observatori Mauna Kea në Hawaii tregojnë një zonë më të ndritshme dhe të dendur në një pjesë të atmosferës së Saturnit, që më parë nuk ishte vërejtur. Sipas ekspertëve, është shumë e mundshme që kjo të jetë pasoja e një përplasjeje me një asteroid ose kometë, ndodhi e rrallë që nuk ishte regjistruar për dekada.
NASA dhe agjencitë hapësinore evropiane kanë nisur analizat për të përcaktuar natyrën e këtij objekti dhe ndikimin e tij në atmosferën e Saturnit. Kjo ngjarje mund të ofrojë të dhëna të vlefshme për përbërjen e planetëve të gaztë dhe për sjelljen e trupave të vegjël që lëvizin nëpër hapësirë.
“Kjo përplasje e mundshme është një mundësi e artë për të studiuar strukturën e Saturnit dhe mënyrën si ndikon graviteti i tij në objektet e afërta,” – tha një nga shkencëtarët pjesëmarrës në vëzhgim./kb