Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin amerikan të Shtetit, ka njoftuar nisjen e një vizite zyrtare në Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë, në kuadër të përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rivendosjen e angazhimit diplomatik në Ballkanin Perëndimor. Hanrahan ka qenë pjesë e stafit të senatorit amerikan, Marco Rubio, i cili aktualisht është Sekretar i Shtetit. Edhe pse nuk ka një karrierë të gjatë diplomatike, ai është konsideruar person i afërt në rrethin e ngushtë të Rubios dhe pritet të luajë një rol kyç në rikonfigurimin e kursit amerikan ndaj Evropës, përfshirë gadishullin ballkanik. Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në rajon që nga tranzicioni politik në SHBA në janar 2025.
Gjithashtu, vizita e tij sinjalizon rikthimin e vëmendjes së administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, në këtë pjesë të Evropës. Hanrahan përfaqëson një stil të ri në qasjen e administratës Trump ndaj rajonit, duke kombinuar përvojën e tij të gjatë në biznes me artin e diplomacies, një element që reflekton edhe doktrinën transaksionale të presidentit Trump në politikën e jashtme.
Ai ka deklaruar para vizitës se rajoni është në një “moment vendimtar” duke shtuar se është i përkushtuar në forcimin e lidhjeve mes SHBA-së dhe rajonit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar Hanrahanin në Uashington, duke riafirmuar përkushtimin për thellimin e partneritetit strategjik me SHBA-në. Ndryshe, vizita e tij në rajon shihet si test i parë i angazhimit të administratës Trump në Ballkanin Perëndimor, një rajon ku SHBA-ja ka mbajtur, përgjatë historisë, përgjegjësinë kryesore në promovimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit demokratik./kb