Ukraina do të marrë grupin e parë të sistemeve të armëve me rreze të gjatë nga Gjermania në fund të korrikut, ka deklaruar Gjeneralmajori Christian Freuding, shef i stafit të mbështetjes speciale për Ukrainën në Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Gjermanisë.
Freuding theksoi se situata në terren për Ukrainën mbetet “ushtarakisht e tensionuar” dhe se forcat ruse “po përpiqen të marrin iniciativën prej disa javësh, në mos muaj”.
Ai shtoi se gjendja në hapësirën ajrore të Ukrainës, veçanërisht mbi qytetet e mëdha, është përkeqësuar ndjeshëm në javët e fundit.
“Ne kemi nevojë për sisteme armësh të afta të arrijnë thellë në territorin rus, sisteme që mund të godasin depot, postet komanduese, fushat ajrore dhe avionët… Në numër të madh, disa qindra njësi ose më shumë”, tha gjenerali. Ai shtoi se aftësi të tilla do të forconin ndjeshëm mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe shtrirjen operacionale në javët dhe muajt në vijim.
Gjermania, sipas tij, është e gatshme të ofrojë këto sisteme të tilla armësh. Dorëzimi është pjesë e një marrëveshjeje të nënshkruar në fund të majit midis Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës dhe industrisë gjermane të mbrojtjes, e cila është iniciuar dhe financuar nga Berlini.
Ai tha gjithashtu se Gjermania po koordinohet ngushtë me partnerët e saj për të furnizuar Ukrainën me sisteme të reja të mbrojtjes ajrore me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi.
Bisedimet janë duke vazhduar rreth transferimit të mundshëm të një ose dy baterive Patriot, të cilat Gjermania do t’i blinte nga Shtetet e Bashkuara. m.p.