13 korrik 1923
Në një mëngjes të mjegullt korriku mbi kodrat e Los Anxhelosit, një shkrim i madh dhe i bardhë nisi të shfaqej mbi horizontin e qytetit që ende kërkonte identitetin e vet si kryeqyteti i kinemasë botërore. “HOLLYWOODLAND”, i gdhendur me shkronja gjigande 14 metra të larta, u vendos aty jo si simbol i yjeve të famshëm, por si reklamë për një lagje të re banimi – një projekt ndërtimi që synonte të tërhiqte klasën e mesme amerikane në rritje drejt luksit suburban.
Më 13 korrik 1923, shenja u përurua zyrtarisht, me drita elektrike që e ndriçonin natën, dhe u mendua të ishte e përkohshme – për një periudhë rreth 18 muajsh. Por ajo mbijetoi dekadat dhe shndërrohet në simbolin më të njohur të ëndrrës amerikane.
Nga reklamë ndërtimi në ikonë të kinemasë
Pas përfundimit të projektit urbanistik, pjesa e dytë e fjalës – “LAND” – u bë e panevojshme dhe u hoq gjatë një restaurimi të plotë në vitin 1949. Kështu mbeti “HOLLYWOOD”, si një emër që tashmë lidhej ngushtësisht me industrinë e filmit, jo me ndërtime.
Shenjat e mëdha të bardha u bënë pjesë e identitetit vizual të qytetit – jo vetëm si simbol i kinemasë, por si prekje iluzive e famës dhe dritave të mëdha. Në vitet 1970, pasi ishte degraduar nga koha, ajo u restaurua plotësisht falë kontributit të figurave publike si Hugh Hefner, Alice Cooper dhe Gene Autry, të cilët sponsorizuan ndërtimin e shkronjave të reja.
Një hije tragjike mbi shkronjën “H”
Por nën këtë dritë të ndritshme, fshihet edhe një njollë tragjike. Në vitin 1932, një aktore e re britanike, Millicent Lilian “Peg” Entwistle, vetëm 24 vjeç, hodhi veten nga shkronja “H”, pasi humbi shpresën për një karrierë në Hollivud. Ironikisht, një letër që mbërriti pas vdekjes së saj i ofronte një rol në një film ku personazhi do të përfundonte jetën në mënyrë tragjike – një rast ku jeta dhe arti u përplasën dhimbshëm.
Sot: më shumë se një shenjë
Shenja “HOLLYWOOD” qëndron edhe sot si një nga simbolet më të fotografuara në botë, e mbrojtur si monument historik. Ajo është më shumë se gërma të mëdha mbi kodër – është një portë imagjinare drejt famës, një ikonë që për shumë artistë mbetet pikënisje e ëndrrës, por edhe e zhgënjimit.
Përgatiti: L.Veizi