Nga Leonard Veizi
Në Gjermani, që nga koha kur kancelari Helmut Kohl udhëhoqi vendin në ribashkimin e Gjermanisë pas rënies së Murit të Berlinit, e këtej, fjala ushtri është përmendur më shumë në arkiv se në jetë.
Por koha po ndryshon.
Ajo Gjermani që para pak dekadash mbyste ndërgjegjen me fajin historik, sot kërkon të rihapë një kapitull të vjetër: shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, duke folur me ton serioz dhe me shikimin e përqendruar drejt Lindjes së egër, deklaroi se agresioni rus në Ukrainë ka “shkatërruar të gjithë arkitekturën e sigurisë në Evropë”. Ai shtoi se “Evropa nuk është më përballë një kërcënimi për luftë, por është në mes të një lufte të vërtetë”.
Një deklaratë që në Berlin i bën zyrtarët të tundin kokën me shqetësim. Kurse në Tiranë, kokat tundin lehtë nga dremitja.
Vapë e madh e këtej nga ne.
Sepse, përtej retorikës, në Shqipëri debati për ushtrinë nuk ekziston. Jo sepse është tejkaluar, por sepse është harruar. Duket se prej ditës kur hymë me entuziazëm në NATO, jemi bindur se paqja është një e drejtë e fituar me hyrjen, jo një përpjekje që kërkon mbrojtje, gatishmëri dhe sakrifica. Në rast lufte, mendojnë me mendje të qetë, do vijnë të tjerët të vriten për ne. Madje, ndoshta edhe do na kërkojnë ndjesë që na shqetësuan në mes të sezonit turistik.
Po deri dje si ia kemi dalë?
Për ta kujtuar, hapi arkivin personal. Shfletoj intervistën që pata bërë para disa vitesh me Gjeneral Major Kostaq Karolin, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në vitet 1991-1992, më pas edhe komandant i Forcave Tokësore. Sipas të dhënave që më ka dhënë aso kohe, më rezultonte se në kulmin e saj, ushtria e shtetit komunist shqiptar kishte:
rreth 16.500 oficerë aktivë, 9.000 nënoficerë, 60.000 ushtarë nën armë, 8.000 civilë në shërbim, 450.000 rezervistë, dhe 230.000 forca vullnetare.
Hajde ushtri hajde. Kaq burra e gra nën armë nuk i mban dot as me nga një gavetë groshe e jo më tepër.
Shifra që sot duken jo thjesht të paarritshme, por gati si legjenda të një kohe kur “ushtria” nuk ishte thjesht një fjalë që i përkiste kryefaqes së muzeut. Në dekadat e komunizmit, ushtria ishte një institucion ideologjik po aq sa ushtarak. Edukata fiziko-ushtarake niste që në shkollë, stërvitja ishte periodike, rezervistët e kuadrot mbaheshin në gatishmëri për “kërcënime të brendshme dhe të jashtme”. Ishte një logjikë e vetë-mbylljes, por e ndërtuar mbi mobilizimin tërësor të shoqërisë.
Me rënien e sistemit, Shqipëria u kthye nga Perëndimi. NATO u bë streha e madhe. Por në vend që të reformonim një forcë të vogël, profesionale dhe funksionale, vendosëm ta çmontojmë pothuajse të gjithën. Reforma u kthye në shkurtim, ndërsa profesionalizimi në abstraksion.
Sot, në Gjermani ndjehet hija e luftës, dhe po shtrëngohen rripat e uniformave.
Në Shqipëri, meraku është: sezoni veror, prishjet e ndërtimeve pa leje, gjobat për qumështin që shitet pa faturë tatimore dhe parkimet “dysh” që bllokojnë rrugicat. E vetmja luftë që zhvillohet ndonjëherë ka të bëjë me shkëmbime zjarri mes bandave rivale, ku viktimat nganjëherë llogariten si “dëme kolaterale”. Përndryshe, luftë e vërtetë nuk ndjehet këtej.
Le ta ndjejë Gjermania. Tek e fundit, ç’punë kemi me Gjermaninë?
Ata ndoshta janë në shënjestrën e Rusisë, ne jemi në shënjestrën e vetvetes – të një harrese kolektive, të një rehatllëku të shpikur dhe të një bindjeje të palëkundur se historia nuk përsëritet… për aq kohë sa ne s’jemi në qendër të saj.
Rusët kanë hesape të vjetra me Dojçët, që nga koha e operacionit “Barbarosa”. E ndoshta duan t’u kthejnë reston. Se ajo që bëri Ushtria e Kuqe në vitin 1945 u quajt “çlirim”, Ndërsa mësymja tjetër do të marrë emrin “pushtim”. Po qe se ia dalin. Se në histori as Cezari nuk i nënështroi dot fiset gjermanike e jo t’i nënështrojë Vladimiri.
Sot Shqipëria ka një ushtri modeste, e cila përfaqësohet më së shumti në misione ndërkombëtare. Por në rast konflikti rajonal apo më gjerë, çfarë kapacitetesh reale kemi për të mbrojtur territorin, popullsinë dhe infrastrukturën?
Pyetja është politike, por përgjigjja është konkrete:
Nëse e vetmja strategji ushtarake është shpresa se dikush tjetër do luftojë për ty, atëherë je de facto i dorëzuar pa luftuar.