Ncuti Gatwa në dramën e tij të re Shekspiriane, të ndezur dhe të ngarkuar me erotizëm

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga David Jays

“E mendoj si një lojë elizabetiane seksi dhe e rrezikshme mes një maceje dhe miu.” Kështu e përshkruan Ncuti Gatwa projektin e tij më të fundit me Royal Shakespeare Company: një dramë me dy aktorë mbi marrëdhënien mes William Shakespeare dhe dramaturgut Christopher “Kit” Marlowe. Në Born With Teeth, Will dhe Kit bashkëpunojnë për të shkruar një dramë për Henrin VI – dhe me “bashkëpunim” nënkupto flirtime, përplasje dhe tradhti të përhumbura.

Gatwa luan Marlowe-n, ndërsa Shakespeare interpretohet nga Edward Bluemel; të dy kanë punuar bashkë më parë në serialin “Sex Education”. Pas kësaj, Bluemel interpretoi një vampir (A Discovery of Witches), një agjent të MI6 (Killing Eve) dhe një lord melankolik (My Lady Jane). Gatwa ndërkohë ishte një nga Ken-ët në filmin Barbie dhe ylli i Doctor Who.

Ulem përballë tyre në një kolltuk, pak para fillimit të provave. Gatwa – me flokë të shkurtuar dhe një bluzë të bardhë të ngushtë, me byzylykë dhe unaza ari. Bluemel – me flokë të çrregullta, i veshur me të zeza, me vathë dhe unaza argjendi. Gatwa duket pak më i përmbajtur, derisa e qeshura i shpërthen papritur dhe me tërbim gazmor.

Në skenarin e Born With Teeth, autorja Liz Duffy Adams shkruan se mosha apo pamja e aktorëve nuk ka rëndësi, “mjafton të jenë të egërisht karizmatikë”. I pyes nëse ndihen të përzgjedhur mirë. Qeshin fort dhe Bluemel i thotë Gatwa-s: “Jam këtu për t’i treguar të gjithëve se ti, Ncuti, je karizmatik pa kufi.”

Seks, agjentë dhe poetë

Kush janë këta personazhe? “Është mahnitëse të zhytesh në jetët e këtyre burrave, që më shumë gjasa ishin queer në mënyra të ndryshme,” thotë Bluemel. “Marlowe e vë zemrën në dorë – drama si Edward II janë portrete guximtare të dashurisë queer. Shakespeare ka frikë – dëshiron të flasë për gjëra të thella, por i maskon në Romën e lashtë apo në Efezin piktoresk.” Në dramë, Will shprehet: “Dua të fshihem në punën time, si një i jashtëligjshëm në pyll.” Ndërsa Kit e përqesh si “Will-i i kujdesshëm, që nuk guxon”.

“Sa i sinqertë është një puthje?” – ngacmon Bluemel. “Një pyetje që ia bëj vetes pas çdo puthjeje…”

Marlowe, sipas Gatwa-s, “vallëzon me rrezikun”. Drama e trajton edhe si agjent të fshehtë të spiunazhit elizabetian – me gjithë pasojat që sjell kjo për ata që e rrethojnë. Mosbesimi ngjall tension erotik – asnjëri nuk e di kush po e luan tjetrin.

Historia lë shumë hapësira – dhe aty lulëzon drama. Një moment në dramë: Kit përçmon burimet historike për veprën mbi Henrin VI: “Burime? Do marrim udhëzime nga historianët?” Gatwa citon regjisorin Daniel Evans: “Të gjitha ato kërkime nuk do të të mësojnë si të luash një personazh.” Por gjithsesi, thotë se kanë shijuar një javë kërkimore, “duke hyrë nën lëkurën e një bote që s’është dhe aq ndryshe nga kjo e sotmja”.

Lexo edhe :  Nga Frankensteini te Putini, përbindëshat po enden në festivalin e filmit në Venecia

Nga dhuna në auditim, te akti në dushe

Drama është e furishme. “Fillon menjëherë dhe ata janë thellësisht të përfshirë në jetën e njëri-tjetrit,” thotë Gatwa. “Qysh me leximin e parë, ndjehej se kishte diçka që fluturonte lart – është shumë njerëzore: tërheqja, xhelozitë, pasiguritë e tyre.”

Për teatrin, të dy kishin hyrë fillimisht në profesion. Gatwa rrëfen se ka qenë go-go dancer në një nga klubet kryesore queer të Glasgout. “Ishin dushe të hapura, kërceja në to me pantallona të shkurtëra, dhe mëngjesin tjetër punoja me sonetet. Të kërcesh, të jep vetëbesim. Ose të paktën, të duhen shumë shots!” – qesh ai.

Për një provë për “Shakespeare in Love”, sapo ishte sulmuar nga tre persona në rrugë. “Kisha probleme me gojën. Gjatë audicionit më plasën buzët. Ishte për audicion te Sonia Friedman – dhe e mora rolin!”

Doktor, lavdi dhe lodhje

Roli i Doctor Who, që Gatwa sapo e ka lënë pas dy sezoneve të trazuara, është një ndër më polarizuesit. “Jam mësuar të filtroj zhurmën,” thotë ai. “Ka zëra, por është diçka shumë e madhe, e bukur. Është një dhuratë si punë, por edhe si komunitet. Whovians – më janë ngulitur thellë në zemër.”

Për përballjen me famën, thotë se kishte “trajnim”, por asgjë nuk të përgatit vërtet. “Vendosën roje jashtë shtëpisë së nënës sime, të vëllait tim – dhe thosha: për çfarë? Pastaj, kupton për çfarë…”

Në një klub në Glastonbury, u takua me Matt Smith, ish-Doktorin. “Foluam gjatë për atë punë. Nuk do të punojmë më kurrë kaq shumë. Nuk do të lodhemi më kaq shumë, as të ngazëllehemi më shumë. Por lodhja është e madhe – dhe tani është kënaqësi të hyj në projekte të tjera.”

“Kaos i shijshëm”, edhe në dramë

Duke folur për Born With Teeth, Bluemel thotë: “Është e tanishme, moderne – përplasje ambicjesh, xhelozie, romancash. Në fund, dy njerëz shumë të ndërlikuar që nuk dinë çfarë të mendojnë për njëri-tjetrin. Shpresoj që për publikun të duket si një stuhí elizabetiane… me shumë epsh.”

Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi

Të fundit

Varrezat e makinave nuk do të lejohen më, ja çfarë ka planifikuar Qeveria

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi masa edhe për “varrezat” e makinave, teksa tha se jemi i vetmi vend në Evropë që i...

Kthyen ‘përmbys’ shkollën 9-vjeçare në Pogradec, procedohen dy të mitur

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për 2 shtetas të mitur. Dy të miturit dyshohet se kanë...

Doni të dini pse izraelitët janë indiferentë ndaj Gazës? Shihni televizionin e tyre

Roy Schwartz Ndonjëherë, lajmi më i rëndësishëm është ai që nuk shfaqet fare në tituj. Kjo ndodhi të premten e kaluar në edicionin e lajmeve...

Anëtarësimi në BE/ Ambasada Gjermane: Berlini është përkrah Shqipërisë

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka rikonfirmuar mbështetje të fortë për Shqipërinë dhe të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet e tyre për...

Shqipëria me nivelin më të lartë të planeve për emigrim në CESEE, 10 % ikin brenda vitit

Rreth 33% e shqiptarëve e konsiderojnë emigrimin përkohësisht ose përgjithmonë brenda dhjetë viteve të ardhshme, ndërsa 10 për qind e tyre synojnë largimin brenda...

Lajme të tjera

Web TV