Tetë foshnje të shëndetshme kanë lindur në Britani me ndihmën e një teknike eksperimentale që përdor ADN-në e tre personave, për t’i ndihmuar nënat të shmangin transmetimin e sëmundjeve të rralla dhe të rënda te fëmijët e tyre.
Shumica e ADN-së gjendet në bërthamën e qelizës dhe përbëhet nga materiali gjenetik i trashëguar nga nëna dhe babai. Por, një pjesë e vogël e ADN-së ndodhet jashtë bërthamës, në struktura të quajtura mitokondri. Mutacionet e rrezikshme në këtë pjesë mund të shkaktojnë sëmundje serioze te fëmijët, si dobësi muskulore, kriza epileptike, vonesa në zhvillim, dështim të organeve dhe vdekje.
Testimet gjatë procesit të fekondimit artificial (in vitro) zakonisht mund të identifikojnë nëse janë të pranishme këto mutacione. Por, në raste të rralla, kjo nuk është e qartë. Studiuesit kanë zhvilluar një teknikë që përpiqet ta shmangë këtë rrezik duke përdorur mitokondri të shëndetshme nga një vezë dhuruese. Ata raportuan për herë të parë në vitin 2023 se kanë lindur foshnjat e para me këtë metodë, në të cilën materiali gjenetik i vezës apo embrionit të nënës transferohet në një vezë apo embrion dhurues me mitokondri të shëndetshme, por pa pjesën tjetër të ADN-së origjinale.
“Kjo është një arritje e rëndësishme”, tha Dr. Zev Williams, drejtor i Qendrës së Fertilitetit në Universitetin Kolumbia, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.
“Zgjerimi i mundësive riprodhuese do t’iu japë më shumë çifteve mundësinë të ndjekin shtatzëni të sigurta dhe të shëndetshme”.
Me këtë metodë, embrioni përmban ADN nga tre persona – nga veza e nënës, sperma e babait dhe mitokondria e dhurueses – dhe për ta lejuar atë, në Mbretërinë e Bashkuar është ndryshuar ligji në vitin 2016. Kjo teknikë lejohet edhe në Australi, por jo në shumë vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara. m.p.