Partia e Lirisë: Bashkitë, fonde për militantë, jo investime për qytetarët

Partia e Lirisë thotë se pushteti i përdor fondet publike për interesa të ngushta politike dhe personale, nën ndikimin dhe urdhrat e qeverisë.

Deklarata e Zëdhënëses së Presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli.

Të nderuar qytetarë!

Sot, Shqipëria përballet me një tjetër dëshmi tronditëse të mënyrës se si pushteti vendor, nën ndikimin dhe urdhrat e qeverisë qëndrore, shpërdoron taksat e qytetarëve dhe i përdor fondet publike për interesa të ngushta politike dhe personale.

Të dhënat e publikuara së fundmi tregojnë një situatë alarmante se si bashkitë në të gjithë vendin përdorin më pak se 14% të buxhetit të tyre për investime në infrastrukturë dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe pjesa dërrmuese e fondeve, mbi 56%, përdoret për pagesa personeli, paga të fryra, kontrata klienteliste dhe luks administrativ.
Nga viti i kaluar, kjo shifër është rritur me 25% në 5-mujorin e parë të vitit 2025, ndërkohë që është ulur përqindja për investimet publike, krahasuar me vitin 2024.

Kjo është një goditje e rëndë ndaj çdo qytetari që paguan taksa, që pret rrugë të rregullta, ndriçim në rrugicat e lagjes, pastrim, kanalizime, kopshte për fëmijët dhe kujdes social për të moshuarit.

Në vend të investimeve për të përmirësuar jetën në komunitet, fondet tona po shpenzohen për të mbajtur në punë militantë partiakë, patronazhistë dhe “miq të partisë”, në një administratë të fryrë e të paaftë, që nuk ka lidhje me shërbimin publik.

Pyetja që sot duhet ta bëjmë të gjithë me zë të lartë është:
Ku shkojnë taksat tona?

Përse bashkitë tona nuk investojnë për njerëzit, por për luksin e zyrtarëve lokalë?

Përse çdo tender për mirëmbajtje, pastrim, apo mobilim zyrash, jepet pa garë dhe shkon për kompani të lidhura me pushtetin?

Përse qytetarët duhet të ecin në baltë e në errësirë, ndërsa zyrtarët lokalë udhëtojnë me makina të shtrenjta, ndërtojnë vila dhe pasurohen ditë pas dite?

Ky nuk është më thjesht një problem keqmenaxhimi, por  një sistem korrupsioni i organizuar, i centralizuar dhe i mbrojtur nga vetë qeveria.

Kur fondet publike nuk shkojnë për shërbime, por për lukse, kemi të bëjmë me vjedhje të organizuar.

Kur taksat e një populli të varfër shpenzohen për zyra luksoze dhe rroga për militantët e partisë, kemi të bëjmë me një padrejtësi shkatërruese për çdo qytetar të ndershëm që punon dhe paguan detyrimet.

Partia e Lirisë kërkon auditim të plotë dhe të pavarur të financave të të gjitha bashkive në Shqipëri.

Hetim të menjëhershëm të kontratave të dyshimta për personel, mobilim, udhëtime dhe shërbime të kota.

Vendosjen e një tavani ligjor për shpenzimet administrative, që çdo qindarkë e mbetur të shkojë për investime reale në komunitet dhe transparencë të plotë online për çdo shpenzim të bërë nga bashkitë, që çdo qytetar të dijë se ku shkojnë paratë e tij.
Të mos harrojmë se qytetarët nuk jetojnë në kryeministri, as në sarajet e zyrtarëve lokalë, ata jetojnë në rrugë të pashtruara, në lagje pa ndriçim, pa çerdhe, pa ndihmë për familjet në nevojë.
Qeveria dhe pushteti vendor kanë ndërtuar një sistem ku paratë ndahen mes tyre, pushteti ruhet me patronazh dhe frikë, ndërsa qytetarët varfërohen dita-ditës.

Nuk do të rreshtim derisa qytetarët të kenë transparencë të plotë, drejtësi dhe kthim të pushtetit tek ta./e.t