Kancelari gjerman, Friedrich Merz pranon kritikat e Presidentit Trump për mungesën e fondeve nga Europa për sigurinë e përbashkët. Në një intervistë për rrjetin britanik BBC, ai tha se pas samitit të mbajtur në Hagen një muaj më parë, kontributi financiar do të rritet nga vendet partnere.
“E dimë që duhet të bëjmë më shumë. Ata po na kërkojnë të bëjmë më shumë dhe ne po e bëjmë këtë. Besoj se tashmë jemi në të njëjtën linjë. Ne nuk jemi mjaftueshëm të fortë, ushtria jonë nuk është mjaftueshëm e fortë, prandaj po shpenzojmë shumë para”, tha Merz.
Në një intervistë për BBC, Merz u shpreh se marrëdhëniet me presidentin amerikan janë shumë të mira dhe janë në kontakt të vazhdueshëm duke diskutuar për luftën në Ukrainë dhe çështjen e tarifave.
“Po përpiqemi të sjellim fundin e kësaj lufte. Po koordinohemi për Ukrainën dhe për tarifat tregtare. Flasim në telefon një herë në javë, po koordinojmë përpjekjet tona. Një çështje është lufta në Ukrainë, dhe e dyta janë debatet dhe tarifat tona tregtare”, shtoi Merz.
Kancelari Merz është një kritik i ashpër i Rusisë. Pas marrjes së detyrës, ai udhëtoi me tren së bashku me liderë të tjerë europianë drejt Kievit për t’i shprehur mbështetjen.
“Rusia është një kërcënim për paqen dhe rendin politik në Europë, jo vetëm për Ukrainën”, tha ai.
Në të njëjtën kohë, BE-ja dhe SHBA-ja janë në negociata për ribalancimin e marrëdhënieve të tyre tregtare. Sipas paralajmërimeve të Trump, Evropës i mbeten edhe disa ditë deri në zbatimin e tarifave 30% për mallrat./e.t