Nga Monada Mehmetaj, Strasburg
Në një Europë që përpiqet të harmonizojë drejtësinë me të drejtat e njeriut, Shqipëria bie në sy për arsyet e gabuara: 58% e të burgosurve janë pas hekurave pa një vendim gjyqësor. Kjo është përqindja më e lartë e paraburgimit në të gjithë kontinentin.
Raporti vjetor i Këshillit të Evropës mbi popullsinë e burgjeve (SPACE I), publikuar më 18 korrik 2025, zbulon një realitet alarmant për Shqipërinë dhe shumë vende të tjera të kontinentit. Në qendër të analizës janë shifrat, por pas tyre fshihen qenie njerëzore të lëna në pritje pafund. Sipas raportit, Shqipëria mban vendin e parë në Europë për përqindjen e lartë të të paraburgosurve, me 58% të popullsisë së saj penitenciare që nuk kanë një dënim përfundimtar nga gjykatat. Me këtë tregues, vendi lë pas edhe Armeninë (53%), Malin e Zi dhe Luksemburgun (47%), duke ngritur shqetësime serioze për respektimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor.
Europa pas grilave: Numra që flasin fort
Në 31 janar 2024, burgjet e 51 administratave të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës strehonin 1,021,431 të burgosur një mesatare prej 105 të burgosur për 100,000 banorë. Numri i të burgosurve për 100 vende të disponueshme u rrit në mënyrë të ndjeshme: nga 93.5 në 94.9. Kjo rritje e lehtë maskon disbalanca të mëdha brenda vetë kontinentit.
Gjashtë shtete europiane raportuan mbipopullim të rëndë: Sllovenia (134 të burgosur për 100 vende), Qiproja (132), Franca (124), Italia (118), Rumania (116) dhe Belgjika (113). Ndërsa tetë shtete të tjera, përfshirë Kroacinë, Irlandën, Suedinë dhe Hungarinë, operuan mbi kapacitetin e tyre optimal.
Shqipëria, me 192 të burgosur për 100,000 banorë, renditet e 7-ta në kontinent për shkallën e burgosjes. Rritja prej 7.5% në një vit e vendos atë në mesin e 13 administratave që kanë pësuar rritje të ndjeshme të popullsisë së burgjeve.
Paraburgimi: një sëmundje e sistemit penal
Në mbarë Europën, 26% e të burgosurve janë në paraburgim. Por në Shqipëri, ky tregues është dyfish më i lartë. Kjo nënkupton që mbi gjysmën e personave në burgjet shqiptare nuk kanë marrë ende një vendim përfundimtar nga gjykata. Kjo gjendje nuk është thjesht statistikore, por shpirtërore dhe shoqërore për një sistem drejtësie që në vend të shpejtësisë dhe efikasitetit, vonon vendimin dhe ndëshkon me pritje.
Ndërkohë, vendet me përqindjet më të ulëta të paraburgimit janë Bullgaria (5%), Çekia (8%), Polonia (11%) dhe Rumania (13%), duke treguar se reduktimi i paraburgimit është i mundur përmes reformave gjyqësore dhe legjislacionit më të balancuar.
Kush janë të burgosurit e Europës?
Sipas raportit të Këshillit të Evropës, rreth një e treta e të burgosurve janë dënuar për krime të dhunshme. Konkretisht, 11.9% për vrasje, 8.7% për krime seksuale dhe 6.7% për sulme fizike. Megjithatë, veprat penale më të zakonshme janë ato të lidhura me drogën (16.7%) dhe vjedhjet (12.3%).
Gjithashtu, raporti evidenton se vetëm 4.9% e popullsisë së burgjeve në Europë janë gra. Shqipëria dhe Gjeorgjia ndajnë vendin e fundit me vetëm 1.4% gra të burgosura, ndërsa Çekia (8.8%) dhe Hungaria (8.4%) shfaqin përqindjet më të larta.
Shtetasit e huaj në burgje: një panoramë e ndarë
Në të gjithë Europën, 16% e të burgosurve janë jo-shtetas. Ky tregues shfaq pabarazi të theksuara mes vendeve. Luksemburgu (75%) dhe Zvicra (72%) raportojnë përqindjet më të larta të të huajve në burgjet e tyre, ndërsa në Rumani dhe Moldavi kjo përqindje është më pak se 2%. Shqipëria nuk raportohet mes vendeve me përqindje të lartë të shtetasve të huaj në burgje.
Çfarë e çon një vend drejt mbipopullimit të burgjeve?
Ekspertët e raportit SPACE theksojnë një lidhje të drejtpërdrejtë midis kohëzgjatjes së dënimeve dhe mbipopullimit të burgjeve. Vendet që aplikojnë dënime më të shkurtra dhe sanksione alternative kanë një normë më të ulët burgosjeje. Ulja e dënimeve për shkelësit jo të dhunshëm dhe me rrezik të ulët, si dhe përdorimi i arrestimeve shtëpiake apo gjobave, është një instrument efektiv në reduktimin e popullsisë së burgjeve.
Shqipëria në fokus: a është reforma penale në rrugën e duhur?
Shifrat për Shqipërinë ngrejnë shumë pikëpyetje: a ka sistemi gjyqësor kapacitetin për të përballuar fluksin e çështjeve? A funksionon e drejta për një proces të drejtë në kohë të arsyeshme? Si ndikon paraburgimi i gjatë në fatin e individëve që në fund rezultojnë të pafajshëm?
58% të paraburgosur pa dënim është më shumë sesa statistikë është një alarm për ndërgjegjen ligjore dhe politike të një shteti.
Në vijim, jepen disa nga treguesit më domethënës të situatës penitenciare në disa prej shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, duke u përqendruar në dendësinë e burgjeve, nivelin e paraburgimit, përfaqësimin gjinor dhe atë të shtetasve të huaj, si dhe në trendet vjetore të rritjes.
Shqipëria është ndër vendet më të goditura nga mbipopullimi në burgje. Me 192 të burgosur për 100 mijë banorë, ajo renditet ndër vendet me shkallë të lartë burgosjeje. Alarmi vjen nga niveli i paraburgimit, ku 58% e personave të ndaluar ndodhen ende në pritje të një vendimi përfundimtar gjyqësor përqindja më e lartë në të gjithë kontinentin. Gratë përbëjnë vetëm 1.4% të të burgosurve, një përqindje mjaft e ulët. Gjatë vitit të fundit, Shqipëria ka pasur një rritje prej 7.5% të popullsisë së burgjeve.
Franca, me një normë mbipopullimi prej 124 të burgosur për 100 vende, përballet me tensione të vazhdueshme në sistemin e saj penitenciar. Ndërkohë që 4.9% e të burgosurve janë gra, dhe mosha mesatare është 35 vjeç, raporti nuk paraqet të dhëna për përqindjen e paraburgimit apo të huajve në sistemin francez.
Italia ndan një profil të ngjashëm me Francën, me 118 të burgosur për 100 vende të disponueshme. Përqindja e grave është gjithashtu 4.9%, ndërsa rritja e popullsisë së burgjeve për vitin 2024 ka qenë 7.8%. Megjithëse të dhënat për paraburgimin mungojnë, numri i përgjithshëm i të burgosurve mbetet në rritje të vazhdueshme.
Belgjika raporton 113 të burgosur për 100 vende, duke e renditur veten mes vendeve me mbipopullim të rëndë. Në Belgjikë, 33% e të burgosurve janë në paraburgim, ndërsa 41% janë shtetas të huaj, që tregon një ndikim të konsiderueshëm të faktorëve të migracionit. Edhe këtu, 4.9% janë gra, dhe rritja vjetore është regjistruar në 6.8%.
Sllovenia përfaqëson shembullin më ekstrem: 134 të burgosur për çdo 100 vende, me një rritje alarmante prej 25.4% në një vit. 40% e të ndaluarve janë në paraburgim, dhe 48% janë shtetas të huaj, duke e bërë atë një nga administratat më të mbingarkuara dhe më të ndikuara nga lëvizjet ndërkombëtare të popullsisë. Përqindja e grave, sërish, është në nivelin mesatar evropian: 4.9%.
Këto të dhëna, të nxjerra nga anketa vjetore SPACE I, nuk janë thjesht statistika të ftohta, por një reflektim i drejtpërdrejtë i sfidave sistemike me të cilat përballen administratat e burgjeve në mbarë kontinentin. Ato tregojnë për krizë në drejtësi penale, mungesë alternativash ndaj burgimit, si dhe nevojë për reforma të thella sidomos në menaxhimin e paraburgimit dhe shkurtime reale të dënimeve për krime jo të dhunshme./kb