Monada Mehmetaj, Strasburg
Në kulmin e vitit të tretë të agresionit rus ndaj Ukrainës, Bashkimi Evropian shpalli më 17 korrik 2025 paketën e 18-të të sanksioneve, më të zgjeruarën dhe më gjithëpërfshirësen deri më sot. Me këtë hap, BE-ja hyn në një fazë të re të përballjes me Federatën Ruse, një fazë që nuk kufizohet më në ndëshkimin e agresorit, por synon të çmontojë rrënjësisht vetë strukturat që e mbështesin.
Nëse paketat e para kishin karakter reagues, kjo paketë vepron me strategji parashikuese. Nëse më parë BE-ja ndëshkonte aktorë individualë apo sektorë të kufizuar, tani i drejtohet të gjithë ekosistemit ekonomik që i jep jetë makinerisë së luftës së Kremlinit. Nuk bëhet më fjalë për sanksione të zakonshme, por për një arkitekturë të qëndrueshme kufizimesh që vendos themelet e një politike afatgjatë të konfrontimit me një regjim të vendosur për të minuar rendin ndërkombëtar.
Në fillim të vitit 2022, masat e para të BE-së pas agresionit rus ishin më shumë simbolike sesa strukturore. Ato përfshinin ngrirjen e aseteve dhe ndalime udhëtimi për disa zyrtarë të lartë, si dhe kufizime mbi produktet luksoze dhe komponentët elektronikë me përdorim të dyfishtë. Por me kalimin e kohës dhe intensifikimin e luftës, paketa pas pakete, sanksionet evoluan në përmasa të reja. Deri në paketën e 10-të u vendosën embargot për naftën, qymyret, arin dhe pjesërisht gazin, si dhe përjashtimi i disa bankave ruse nga sistemi SWIFT. Megjithatë, efekti i këtyre masave ishte i pjesshëm dhe Rusia vazhdoi të gjente rrugë alternative për të eksportuar energji dhe për të financuar ushtrinë e saj.
Pikërisht këto rrugë alternative janë objektivi kryesor i paketës së 18-të. Një nga elementët më të spikatur është sulmi frontal ndaj flotës në hije që përdoret për të anashkaluar çmimet tavan për naftën ruse. Për herë të parë, Bashkimi Evropian përfshin në sanksione jo vetëm anijet, por edhe kapitenë individualë, kompani ndërmjetëse, regjistra flamujsh dhe madje edhe një rafineri në Indi të lidhur me gjigantin shtetëror rus Rosneft. Lista e anijeve të sanksionuara arrin tashmë në 444, duke e shtrirë ndëshkimin përtej kufijve europianë dhe duke sinjalizuar se asnjë hallkë e zinxhirit të eksportit nuk është më e paprekshme.
Në sektorin energjetik, paketa shënon një shkallë të re përshkallëzimi. Çmimi tavan për naftën bruto u ul nga 60 në 47.6 dollarë për fuçi, për ta përafruar me realitetin e tregut dhe për të forcuar efektin praktik të kufizimeve. Për më tepër, ndalohet importi në BE i produkteve të rafinuara nga nafta ruse që vijnë përmes vendeve të treta, përjashtuar vetëm pesë partnerë të ngushtë perëndimorë. Edhe një tjetër përjashtim i rëndësishëm bie: ai për Çekinë, duke sinjalizuar një përpjekje për të zbutur gradualisht varësinë e vendeve anëtare nga nafta ruse dhe për të unifikuar zbatimin e sanksioneve.
Një zhvillim që tregon se kjo paketë nuk ka më karakter të përkohshëm është vendimi për të mbyllur përfundimisht projektet Nord Stream 1 dhe 2. Në të kaluarën, tubacionet ishin pezulluar si pasojë e zhvillimeve politike apo teknike, por tani ato janë zyrtarisht të ndaluara për mirëmbajtje, operim dhe përfundim. Ky është një vendim me peshë gjeopolitike që e tregon qartë se kthimi në “business as usual” me Kremlinin nuk është më një opsion në horizontin afatmesëm.
Edhe në sektorin financiar, paketa e 18-të shënon një përparim të dukshëm në krahasim me paketat 7–14. Përveç zgjerimit të ndalimeve ndaj 22 banka të tjera ruse, Bashkimi Evropian tani e ka kthyer vëmendjen te partnerët ndërkombëtarë të Rusisë. Bankat dhe ofruesit e kripto-aseteve në vende të treta që ndihmojnë në anashkalimin e sanksioneve, apo që përdorin sistemin rus SPFS, do të sanksionohen gjithashtu. Ndërkohë, ndalimi i eksportit të softuerëve të menaxhimit financiar shënjon një dimension të ri të luftës ekonomike një përpjekje për të sabotuar arkitekturën teknologjike të sistemit bankar dhe të investimeve ruse.
Sanksionet ndaj industrisë ushtarake janë po ashtu të avancuara. Për herë të parë, në listë futen kompani me bazë në Kinë, Hong Kong dhe Turqi – tregues i qartë se BE-ja është gati të përballet me rrjetet e furnizimit ushtarak të Rusisë përtej kufijve të saj. Lista përfshin gjithashtu kompani bjelloruse që mbështesin përpjekjet luftarake të Moskës. Kufizimet e reja të eksportit mbulojnë artikuj të ndjeshëm si makinat CNC për përpunim preciz të metaleve, lëndë shtytëse dhe komponente për dronë. Me këtë, BE-ja synon jo vetëm të ndalojë prodhimin aktual ushtarak të Rusisë, por edhe të bllokojë çdo përmirësim teknologjik në të ardhmen.
Paketa nuk lë pas dore as dimensionin human dhe etik të konfliktit. Në mënyrë të veçantë, ajo shton në listë individë përgjegjës për deportimin dhe indoktrinimin e fëmijëve ukrainas në territorin rus, si dhe figura të përfshira në manipulimin e trashëgimisë kulturore të Ukrainës dhe përhapjen e propagandës. Numri i përgjithshëm i individëve të lidhur me këto aktivitete ka kaluar tashmë 90, një tregues i përkushtimit të BE-së për të përfshirë përgjegjësinë morale në arkitekturën e masave ndëshkuese.
Përtej goditjeve teknike, paketa sjell një dimension të ri ligjor: Bashkimi Evropian vendos t’i japë fund përpjekjeve të kompanive dhe individëve rusë për të përdorur Traktatet Dypalëshe të Investimeve (BIT) si armë për të kërkuar kompensime ndaj shteteve anëtare. Ky është një hap i rëndësishëm për të mbrojtur sistemin ligjor të BE-së nga hakmarrja procedurale e Kremlinit, që përpiqet të përmbysë logjikën e sanksioneve përmes arbitrazheve ndërkombëtare.
Në këtë kuadër të ri, paketa e 18-të nuk përfaqëson një masë të zakonshme ekonomike, por një rikonstruksion të gjithë strategjisë europiane të sigurisë. Ajo është manifestim i një Bashkimi Evropian që nuk reagon më vetëm ndaj krizave, por vepron me vizion afatgjatë. Në thelb, kjo është një politikë që nuk synon vetëm të ndëshkojë, por të ndërtojë një mur ekonomik që mbron vlerat dhe parimet e rendit ndërkombëtar.
Paketa e 18-të nuk është fundi i rrugës, por një kthesë cilësore në logjikën e përballjes. Ajo nuk është vetëm më e forta – është edhe më e zgjuara. Më shumë se ndëshkim, ajo është një strategji. Dhe më shumë se një reagim, ajo është një përkushtim ndaj qëndrueshmërisë së rendit demokratik në Evropë dhe më gjerë.