Trump përmbushi ëndrrën sovraniste të opozitës shqiptare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mero Baze

Vendimi që Departamenti i Shtetit të mos komentojë më mbi ndershmërinë, integritetin dhe legjitimitetin e zgjedhjeve të huaja është një ikje nga identiteti i politikës së jashtme të SHBA-së që prej Luftës së Ftohtë, e cila ishte ndërtuar mbi promovimin e demokracisë amerikane në mbarë botën. Kjo traditë përbënte themelin mbi të cilin ngrihej autoriteti moral i SHBA-së dhe ku mbështetej strategjia e saj për ndikim global.

Vendimi përbën një ndryshim të thellë në politikën e jashtme të SHBA-së dhe pasqyron në thelb vizionin e presidentit Donald Trump për një qasje më sovraniste në çështjet e brendshme të vendeve të tjera.

Ky ndryshim drastik ka anët e veta pozitive për SHBA-në dhe negative për botën që pret të zhvillohet nën modelin dhe ndikimin amerikan.

Nga pikëpamja amerikane, vendimi rrit përqendrimin e politikës së jashtme në problemet e brendshme të SHBA-së, bazuar edhe në dështimet historike si Iraku, Afganistani apo Pranverat Arabe.

Nga ana tjetër, doktrina e Trump fokusohet te qartësia dhe pragmatizmi në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke ulur kostot e ndërhyrjeve dhe duke e shkëputur SHBA-në nga roli i udhëheqësit moral të botës.

Por nga ana tjetër, vendimi është një “prerje në besë” për të gjitha opozitat demokratike në vendet autoritare, që kishin shpresuar te mbështetja amerikane apo ishin frymëzuar nga demokracia amerikane. Kjo e bën më të vështirë betejën e tyre me udhëheqësit autoritarë dhe i jep fund eksportit të demokracisë amerikane në botë.

Në fakt, ky vendim i shkon shumë administratës Trump, edhe për shkak të problematikave që ajo solli në politikën e brendshme amerikane: akuzat për manipulim zgjedhjesh që nuk ishin dëgjuar ndonjëherë më parë, si dhe për përdorimin politik të drejtësisë. Në këto kushte, SHBA-ja dukej sikur kishte standarde të dyfishta për botën dhe për veten. Kjo politikë  shmang tensionet me vende me probleme të ngjashme, duke braktisur moralizimin dhe duke u përqendruar te bashkëpunimi pragmatist.

Lexo edhe :  Përse forcat e 'reja' u kthyen në parti tezesh të irrituara?

Por e gjitha kjo nuk e zbeh dëmin e madh që vjen nga heqja e mekanizmit kryesor me të cilin SHBA ndikonte në botë përtej forcës ushtarake. Eksporti i demokracisë ka qenë “pushtimi” më i madh që SHBA i ka bërë botës – madje edhe kur kanë dështuar ndërhyrjet me tanke, demokracia ka mbetur si flamur.

Për vende si Shqipëria apo Kosova, që kanë parë te SHBA një partner për forcimin e institucioneve demokratike, shpresa e vetme mbetet që të konsiderohen aleatë strategjikë, në mënyrë që SHBA të mbetet e angazhuar në zhvillimin e tyre si shoqëri demokratike properëndimore.

Fati i Shqipërisë është që ka hyrë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ku këto parime janë ende në fuqi, dhe ku korniza demokratike e BE-së e bën të detyrueshme mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe konkurruese.

Ky zhvillim nuk forcon vetëm liderët autoritarë. Nga ana tjetër, ai është edhe një shuplakë për liderë opozitarë që kanë kapur monopolin e opozitës me mjete jo demokratike dhe që mungesën e fitores e justifikojnë me manipulime zgjedhore.

Në këtë aspekt, e vetmja “vlerë” që ky vendim ka për opozitën shqiptare është që t’i kërkojë lekët mbrapsht LaCivitës dhe të mos harxhojë më para për heqjen e “non grata”-s apo për denoncime fiktive për zgjedhjet. Janë shpenzime të kota.

Më mirë do të ishte të bëheshin zgjedhje të lira dhe të ndershme brenda PD-së, dhe të zgjidhej me votë të lirë një udhëheqës që çon opozitën në fitore, sesa të mbrohet me miliona euro korrupsioni i një udhëheqësi që e ka marrë peng opozitën.

SHBA nuk është duke braktisur Shqipërinë, por po i lë politikanët shqiptarë të bëjnë politikë pa ndërhyrjen dhe pa spekuluar me mbështetjen e saj. Kjo ishte pikërisht ajo që ëndërronin opozitarët e Sali Berishës dhe Ilir Metës para fitores së Trump-it.

Ai erdhi dhe ua realizoi ëndrrën sovraniste.

Të fundit

Gjergj Luca ironizon “Thurjen”: Mbahu Shaban, qëndro burrë!

Biznesmeni i njohur Gjergj Luca ka komentuar përmes një postimi në rrjete sociale përplasjen mes Adriatik Lapajt të "Shqipëria...

Egnatia fiton pastër ndaj kampionëve të Bjellorusisë, kualifikimi vuloset në Rrogozhinë

Egnatia ka mposhtur Dinamo Minsk me rezultatin 0 me 2 në transfertën e Hungarisë. Sfida e parë e vlefshme për turin e dytë të...

Ngjarja e Fierit, gazetarja zbulon detajet: Ishte masakruar në pjesët intime!

Anesti Rama 56 vjeç u vra në mënyrë makabër nga vajza e tij Emanilda Rama 26 vjeç në Fier. Burime bëjnë me dije se...

Përmbysje e madhe në “Loro Boriçi”, Vllaznia triumfon në ndeshjen e parë ndaj Vikingur

Vllaznia fiton 2-1 ndaj Vikingur Reykjavik në Shkodër, në ndeshjen e parë të turit të dytë të Conference League. Ndeshja u zhbllokua shumë shpejt, që...

A do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës? Kjo është përgjigjja e Arlind Qorit

Kreu i i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, ka përsëritur distancimin e tij politik nga dy partitë e mëdha, PS dhe PD, duke theksuar se...

Lajme të tjera

Web TV